Lidhje

SHBA: Fillon puna për riparimin e Monumentit të Uashingtonit

  • Jeff Swicord

SHBA: Fillon puna për riparimin e Monumentit të Uashingtonit

SHBA: Fillon puna për riparimin e Monumentit të Uashingtonit

Në kryeqytetin amerikan ka filluar puna për riparimin e Monumentit të Xhorxh Uashingtonit, një nga pikat më tërheqëse turistike të tij. Fjala është për të riparuar dëmet nga tërmeti që goditi Bregdetin Lindor të Shteteve të Bashkuara në muajin gusht.

Një pamje befasuese shpaloset nga maja e njërës prej strukturave më të njohura të Uashingtonit. Një mekanik ngjitet me litar në majën 169 metra të lartë të monumentit.

Ai është duke bërë përgatitjet për një ekip inxhinierësh që do të inspektojnë dëmet e shkaktuara nga tërmeti me magnitudë prej 5.8 i cili tronditi Uashingtonin në muajin gusht.

Xhef Komer, ndalet të shikojë gjatë rrugës për në punë:

"E dija se po inspektonin për dëme nga tërmeti, por pastaj pashë këtë njeri që kishte hipur në majë dhe u habita sepse kurrë s’kisha parë dikë të ngjitej mbi monument më parë. Vërtet interesante.”

Boni Saksen dhe një mik i saj që kanë ardhur nga shteti Ajova, menduar se njeriu që po hipte mbi monument ishte i çmendur.

"Pastaj e kuptuam se ky ishte një profesionist, që po kontrollonte për ndonjë plasaritje pas tërmetit. Jam e kënaqur që nuk bëj kësi lloj punësh."

Një video vëzhgimi e publikuar kohët e fundit tregon se sa fort lëkundej kulla gjatë tërmetit. Nikolete Uilliams është roja e kullës, e cila në ato momente ndodhej në majën e saj me rreth 20 vizitorë.

"Fillova të ndjej dyshemenë poshtë meje që dridhej. Pastaj ndjeva gjithë ndërtesën që po tronditej. Menjëherë u kërkova vizitorëve që të dilnin jashtë kullës."

Uilliams nisi t’i orientojë vizitorët drejt shkallëve, ndërkohë që mbi kokat e tyre filluan të bien copëra llaçi dhe çimentoje.

"Nuk po kuptoja ç’po ndodhte, ndonjë sulm apo ndonjë tërmet. Me të arritur në katin e poshtëm, hapa derën e emergjencës dhe ata nisën të dalin me shpejtësi."

Inxhinierët do të bëjnë inspektimin një nga një të blloqeve prej guri gjatë pesë ditëve të ardhshme. Shërbimi Kombëtar i Parqeve thotë se dëmi më i madh është në majën në formë piramide të kullës. Nëpër gurë janë shfaqur çarje të mëdha dhe nëpër to rrjedh uji i shiut i cili po shkakton dëme të mëtejshme. Edhe ashensori i monumentit është dëmtuar.

"Ne kemi fotografitë e të gjithë gurëve të jashtëm të kullës. Tani, inxhinjerët do t’i shqyrtojnë fotografitë një nga një për të përcaktuar se sa të mëdha janë plasaritjet."

Shërbimi i Parqeve thotë se inspektimi do të japë një ide se për sa kohë do të qëndrojë i mbyllur monumenti dhe sa do të jetë kostoja e përgjithshme e riparimeve. Lajmi i mirë është se ky monument, ndër më të çmuarit e vendit, ka një strukturë të shëndoshë.

XS
SM
MD
LG