Lidhje

SHBA: Fillon së shpejti fushata për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012

  • Xhim Malloun

SHBA: Fillon së shpejti fushata për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012

SHBA: Fillon së shpejti fushata për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012

Është e vështirë të besohet, por prova e parë për republikanët që kërkojnë kandidaturën e partisë për zgjedhjet presidenciale është më pak se një vit larg. Zgjedhjet brenda partisë do të fillojnë shkurtin e ardhshëm në shtetin Ajoua dhe ndonëse nuk ka pasur shumë lajme në drejtim të fushatës presidenciale, gjërat pritet të ndryshojnë.

Numri i kandidatëve presidencialë brenda partisë republikane pritet të jetë shumë i madh, thotë Kostas Panagopulos, shkencëtar politik pranë Universitetit “Fordam”.

“Nuk ka ndonjë kandidat që gëzon mbështetje shumë më të madhe se të tjerët ose që është caktuar nga partia dhe mendoj se kjo ndodh pjesërisht për shkak se Partia Republikane ka qenë e angazhuar në përcaktimin e drejtimit që duhet të ndjekë.”

Disa kandidatë të mundshëm republikanë kanë vizituar tashmë shtete ku mbahen herët zgjedhjet partiake si Ajoua, Nju Hemshir, Karolina e Jugut dhe Nevada. Ato janë vendimtare në ecurinë e emërimit të kandidatit të partisë.

Kandidatët e mundshëm republikanë janë të shumtë. Por edhe Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Bejnër, pranoi në programin televiziv “Meet the Press” të kanalit NBC, se në këtë fazë të hershme të garës, nuk ka asnjë republikan që duket të ketë një epërsi të qartë.

“Unë kurrë nuk kam parë një garë më të gjerë e të hapur për emërimin e kandidatit republikan. Por ne të gjithë e dimë se kjo zbrazëti nuk është e duhur.”

Në mesin e atyre që janë gati të mbushin zbrazëtinë është ish-guvernatori i Masaçusetsit Mit Romni, një nga disa kandidatët e mundshëm, i cili kohët e fundit foli në një takim me veprimtarë konservatorë në Uashington dhe kritikoi qasjen e politikës së jashtme të Presidentit Barak Obama.

“Unë kurrën e kurrës s’do të kërkoj falje për Amerikën!”

Zoti Romni doli pas senatori Xhon MekKejn në zgjedhjet partiake për president më 2008 dhe duket i etur për të bërë një orvatje të dytë për në Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm.

Por zoti Romni mund të ketë shumë rivalë. Në mesin e atyre që pritet të shpallin kandidaturën e tyre brenda muajve të ardhshëm janë ish-Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Nut Gingriç, ish-guvernatori i Minesotës Tim Pëlenti, senatori nga Dakota e Jugut Xhon Tjun dhe ish-senatori nga Pensilvania Rik Santorum.

Një pikëpyetje e madhe është ngritur rreth ish-guvernatores së Alaskës Sarah Pejlin, kandidate për nënpresidente më 2008. Zonja Palin është shumë popullore në mesin e republikanëve konservatorë, por shumë më pak në mes të demokratëve dhe votuesve të pavarur, çfarë shqetëson disa strategë që duan një kandidat me përkrahje më të gjerë.

Të tjerë që mund të kandidohen përfshijë guvernatorët e tanishëm të shteteve, Hejlli Barbër e Misisipit dhe Miç Daniels i Indianës, kongresisten Mishel Bakman dhe ish-guvernatorët Xhon Hantsmën nga Jutah dhe Majk Hakëbi nga Arkansa.

Eksperti politik Roudz Kuk thotë se do të duhet kohë që të dihen kandidatët dhe të qartësohet gara brenda Partisë Republikane.

“Më parë kishte kandidatë që prinin qysh në fillim dhe i bënin ballë garës brenda Partisë Republikane. Kësaj radhe nuk është ashtu. Gara është më fort, do të thoja, e çrregullt dhe mund të jetë kaotike derisa të dihet fituesi.”

Presidenti Obama dukej i rrezikuar sipas rezultateve të anketave vitin e kaluar dhe kjo ndihmoi fitoren republikane në Kongres në zgjedhjet e nëntorit.

Por që atëherë, vlerësimi i punës së presidentit është rritur dhe ekspertë si Kostas Panagopulos nga Universiteti “Fordam” shohin zotit Obama si një kandidat me mundësi për t’u rizgjedhur vitin e ardhshëm.

“Ajo që është edhe interesante për mua është se ka pasur disa sondazhe kohëve të fundit që krahasojnë zotin Obama me një numër kandidatësh republikanë dhe zoti Obama është më i pëlqyer për t’u votuar. Shumica e sondazheve sugjerojnë se zoti Obama ka një epërsi mbi ndonjë nga pretendentët kryesorë të Partisë Republikane në këtë kohë.”

Për shumicën e amerikanëve, është shumë herët për t’u kushtuar vëmendje zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm. Por kjo nuk do të ndalë republikanët që të ndërmarrin hapa drejt kandidimit për Shtëpinë e Bardhë gjatë disa javëve të ardhshme.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG