Lidhje

SHBA: Clinton dhe Trump shkëmbejnë akuza të ndërsjellta


Fushata presidenciale vazhdoi në Shtetet e Bashkuara të dielën, me akuza të ndërsjellta nga dy kandidatët të cilët gjithashtu paraqitën argumenta se pse duhet të zgjidhen presidentë.

Kandidatja demokrate, Hillary Clinton dhe ai për nënpresident Tim Kaine ishin në Columbus të Ohajos, ndalesa e fundit në një tur treditor në shtetet e Ohajos dhe Pensilvanisë, dy shtete industriale ku ekspertët thonë se lufta politike do të jetë e ashpër në zgjedhjet e nëntorit.

Ajo u përpoq të paraqiste një contrast me kundërshtarin republikan Donald Trump.

“Kam ndjekur se ç’ka ndodhur dy javët e fundit. Pjesa më e madhe e retorikës që erdhi nga Donald Trump dhe Kuvendi i tij, ishte aq e errët, aq pesimiste, aq negative. E di që kemi probleme dhe sfida. Nuk po them që nuk kemi punë për të bërë. Përkundrazi po flas për punën që duhet të bëjmë së bashku. Por në fund të fundit ne amerikanët jemi më mirë kur përveshim mëngët, i vendosim vetes pikësynime dhe punojmë së bashku, sepse së bashku jemi më të fuqishëm”.

Ndërkohë, Donald Trump, gjatë një interviste me televizionin ABC, iu përgjigj një akuze të zonjës Clinton sipas së cilës, ai mendon se di më shumë se gjeneralët.

“Më duhet t’ju them se gjeneralët nuk po dalin mire. Kam përshtypjen se është faji i Obamës. Por po të shohësh se ç’po ndodh me ISIS, gjenerali MacArthur dhe gjenerali Patton besoj nuk po i mban dheu. Nuk ka dyshim që gjeneralët nuk po dalin aq mirë. Dhe për gjeneralin Allen, pasi e pashë se si më akuzoi ashpër, pa e takuar asnjëherë, fillova të kërkoj informacion. Ai ka ngjallur shumë pakënaqësi. Ai nuk e ka mundur ISIS-in, madje as nuk ka shënuar përparim kundër ISIS-it”.

Zoti Trump mban sot takime fushate në dy nga qytetet që ka vizituar zonja Clinton, Columbus dhe Harrisburg të Pensilvanisë. Zonja Clinton do të shkojë në Omaha të Nebraskës dhe Boulder të Kolorados.

Ndërsa zoti Trump krenohet se më shumë teleshikues ndoqën fjalimin e tij në Kuvendin Repblikan sesa të zonjës Clinton tek demokratët, mbështetja për demokraten pas kuvendit është rritur me 7 për qind.

Organizata Morning Consult njoftoi dje se Clinton ka një epërsi 43 me 40 për qind përsa i takon preferencës mes votuesve. Anketa tregon gjithashtu se një numër i madh votuesish, 17 për qind ende janë të pavendosur.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG