Lidhje

Clinton, një hap më pranë emërimit të demokratëve


Kandidatja demokrate për presidente Hillary Clinton është një hap më pranë në përpjekjet për të marrë emërimin e partisë së saj si përfaqësuese e demokratëve në zgjedhjet e nëntorit. Ajo siguroi fitore dje në zgjedhjet e zhvilluara në ishullin e Guamit, një territor amerikan në Paqësor. Si rezultat ajo merr 4 nga shtatë delegatët e ishullit, rivali i saj demokrat, Bernie Sanders merr 3. Zonja Clinton ka më shumë se 93% të delegatëve që i duhen për të marrë emërimin e partisë.

Manjati amerikan Donald Trump, i cili pritet të përfaqësojë Partinë Republikane në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, i ka intensifikuar akuzat kundër zonjës Clinton.

Gjatë një aktiviteti për fushatë në shtetin Uashington, zoti Trump bëri një seri ofezash në adresë të zonjës Clinton, duke thënë se ajo është martuar me një prej abuzuesve më të rëndë të grave në histori, një njeri që ka nëpërkëmbur një numër grash. Kjo, tha ai, e bën vetë Hillarin abuzuese të grave që ai ka lënduar, pasi ajo i qëndroi në krah të shoqit. Komentet ishin një aludim i qartë i akuzave të shumta që e shoqëruan ish-presidentin Bill Clinton për tradhëti bashkëshortore, ndër të cilat më e bujshmja, marrëdhënia me stazhieren e Shtëpisë së Bardhë Monica Lewinski.

Duket qartë se zoti Trump po përpiqet ta godasë rivalen demokrate tek mbështetja që ajo gëzon mes grave, një segment i popullatës ku Donald Trump është shumë më dobët.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG