Lidhje

Obama, Merkel kërcënojnë Rusinë me sanksione të reja


Presidenti Barack Obama dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel po paralajmërojnë Rusinë se sanksione të reja do të vendosen nëse nuk ndalet ndërhyrja në Ukrainën lindore.

Marrëdhëniet mes Kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit Obama janë tensionuar që kur u bë publike vitin e kaluar se Shtetet e Bashkuara kishin përgjuar telefonin celular të zonjës Merkel.

Megjithatë Ukraina dominoi në bisedimet e udhëheqësit amerikan me Kancelaren gjermane dje në Shtëpinë e Bardhë dhe të dy ata u përpoqën të tregojnë se mbeten të bashkuar në qëndrimin e tyre ndaj Rusisë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vendosën këtë javë sanksione shtesë, por aktet e reja të dhunës nga forcat pro-ruse tregojnë se ndëshkimet nuk po ndikojnë tek sjellja e Rusisë.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama dhe Kancelarja Merkel diskutuan hapat e ardhshëm dhe i dërguan një mesazh Rusisë.

"Udhëheqja ruse duhet ta dijë se nëse vazhdon të destabilizojë Ukrainën lindore dhe të pengojë zgjedhjet presidenciale këtë muaj, ne do të veprojmë menjëherë me masa shtesë, përfshirë sanksione të reja me kosto më të rëndë”.

Zoti Obama nuk dha hollësi se çfarë forme do të marrin masat e reja por tha se po bëhen planifikime për sanksione më të rënda që kanë në shenjestër sektorë të tërë të ekonomisë ruse. Këto sektorë përfshijnë shitjen e armëve dhe sektorin bankar.

Zonja Merkel pohoi se sanksione të reja mund të jenë të nevojshme.

Udhëheqësja gjermane tha se zgjedhjet e 25 majit po afrojnë dhe nëse nuk stabilizohet situata, vendosja e sanksioneve të reja mund të jetë e pashmangshme. Askush nuk e dëshiron një gjë të tillë, tha ajo.

Për zotin Obama, ka qenë e vështirë të bindë aleatët evropianë për sanksione më të rënda. Vendet evropiane kanë lidhje të forta ekonomike me Rusinë dhe shumë prej tyre janë të varur në masë të madhe nga gazi dhe nafta ruse.

Moska ka sinjalizuar se është e përgatitur të shfrytëzojë eksportet e gazit si presion në mosmarrëveshjet me Ukrainën. Rusia ka rritur ndjeshëm çmimin e gazit që i shet Ukrainës dhe ka kërcënuar të reduktojë sasinë që shet.

Në bisedimet e djeshme, Presidenti Obama dhe Kancelarja Merkel diskutuan nevojën që Evropa të diversifikojë burimet energjetike.

Lidhur me çështjen e përgjimeve, gjermanët shpresonin të arrinin një marrëveshje ku Shtetet e Bashkuara të angazhoheshin për të ndalur aktivitetin e përgjimit ndaj Gjermanisë. Zoti Obama nuk e bëri një zotim të tillë dje por ofroi garanci se Shtetet e Bashkuara po marrin masa për të shmangur shkelje të privacisë për subjekte jo-amerikane.
XS
SM
MD
LG