Lidhje

SHBA: Gjykata e Lartë shqyrton një ligj imigracioni

  • Carolyn Presutti

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara do të shqyrtojë të mërkurën një ligj imigracioni nga shteti jugperëndimor i Arizonës. Ligji u kërkon oficerëve të policisë që të kontrollojnë statusin e imigrantit të personave, nëse ata ndalohen për shkelje trafiku apo për arsye të tjera. Statuti i Arzonës ka bërë që ligjet e imigracionit, si shtetrore edhe federale, të dalin në front të parë.

Alhassanne Foungounou i bie kitarës dhe këndon për lirinë në YouTube. Foungounou kërkoi strehim politik në Shtetet e Bashkuara kur këngët e tij Tuareg të protestës zemëruan qeverinë e Nigerit. Por Foungounou u kthye në vendin e tij Niger pasi Arizona miratoi një ligj të ashpër dhe gati sa nuk u arrestua. Ja si u shpreh ai nëpërmjet Skype-it.

“Më pëlqen shumë të jetoj në Shtetet e Bashkuara, por ligji i Arizonës nuk është i mirë. Një shitës më kërkoi letërnjoftimin dhe unë i dhashë lejen e punës. Pas pak erdhi policia sikur unë të kisha vrarë dikë".

Foungounou ishte me dokumenta të rregullta në Shtetet e Bashkuara, por ai bëri pikërisht atë që zyrtarët e shtetit të Arizonës shpresonin të arrinin me këtë ligj. Arizona është në kufi me Meksikën. Guvernatoria e shtetit, Jan Brewer ka thënë se donte t’i bënte kushtet kaq të vështira në mënyrë që imigrantët e paligjshëm të largohen vullnetarisht nga shteti i saj. Ligji u kërkon imigrantëve të ligjshëm që të mbajnë gjithnjë me vete letërnjoftimin, përndryshe do të burgosen. Ligji gjithashtu u kërkon oficerëve të policisë që të kontrollojnë statusin e imigracionit nëse policia dyshon se individi është në vend ilegalisht.

Ligji kishte për qëllim t’i jepte fund problemeve të shkaktuara në Arizona nga rreth 460 mijë imigrantë të paligjshëm. Pas disa sfidave ligjore, e ardhmja e ligjit është tani në duart e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Michael McLaughlin thotë se ligji është pozitiv dhe duhet të mbahet në fuqi. Gruaja e tij është imigrante nga Gjermania dhe ndoqi rrugën ligjore për të marrë shtatësinë amerikane para 42 vjetësh.

Ai dhe vullnetarë të tjerë po përpiqen për miratimin e ligjeve strikte në të 50 shtetet amerikane. Ata kanë në plan të demonstrojnë përpara ndërtesës së Gjykatës së Lartë.

"Ne kemi rreth 8 milion imigrantë të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara. 7 milion prej tyre punojnë në sektorë jo bujqësorë, ndërkohë që 22 milion amerikanë kërkojnë punë".

Nëse Gjykata e Lartë e mban në fuqi ligjin, shtetet individe mund të miratojnë ligjet e tyre të imigracionit. Kristina Campbell është profesore e jurisprudencës në Universitetin e Distriktit të Kolumbias.

"Do të krijoheshin shumë probleme nëse besojmë në parimin e federalizmit, se ne kemi shumë shtete, por jemi një vend i vetëm. Ne kemi të njëjtat ligje në nivel federal. Dhe do të ishte problem nëse u themi shteteve se ato mund të bëjnë çfarë të duan lidhur me një çështje të caktuar".

Ali Noorani i Forumit Kombëtar të Imigracionit është kundër këtij ligji, por ai mendon se nxirren mësime nga fakti që çështja e imigracionit të diskutohet.

"Ne duhet të bëjmë diçka rreth imigracionit. Nëse është shteti i Arizonës apo Alabama, vendi po humbet sepse ne nuk kemi një sistem funksional".

Anëtarët e Gjykatës së Lartë pritet të marrin vendim mbi këtë çështje në qershor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG