Lidhje

Numër rekord grash zgjidhen në Kongres


Një numër rekord femrash u zgjodhën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senatin amerikan gjatë votimeve të 6 nëntorit. Kur Kongresi i ri të mblidhet në janar, Dhoma e Përfaqësuesve do të ketë 80 anëtare dhe Senati 20, shumica demokrate. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kongres, Cindy Saine njofton rreth ndryshimeve në organin legjislativ.

Udhëheqësja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi zhvilloi një konference shtypi pas zgjedhjeve, ku ajo rrethohej nga një grupi i madh grash, anëtare aktuale dhe të sapo zgjedhura në këtë dhomë. Ajo theksoi se për herë të parë në historinë e Kongresit, gratë demokrate dhe pakicat përbëjnë një numër më të madh se kolegët e tyre meshkuj të bardhë.

“Grupi më i shumëllojshëm në historinë e botës. Kjo është hera e parë që një organ parlamentar ka një grup shumicë, të përbërë nga gratë dhe pakicat”.

Zonja Pelosi tha se fakti që kaq shumë gra demokrate fituan në zgjedhjet e 6 nëntorit luajti rol në vendimin e saj për të qëndruar apo jo në postin udhëheqës të demokratëve, vendim që ajo e njoftoi e rrethuar nga koleget e saj, të cilat i quajti "motrat e saj".

“Kam vendosur të paraqes përsëri kandidaturën për të shërbyer si udhëheqëse e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve”.

Zonja Pelosi sherbeu për dy mandate 2-vjeçare si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, gruaja e parë në Shtetet e Bashkuara, që shërbente në atë post.

Në Senatin e ri në janar, 20 për qind e 100 senatorëve do të jenë femra; 16 demokrate dhe 4 republikane. Dhe sapo të numërohen të gjitha votat, 19 gra republikane mund të bëjnë betimin në Dhomën e Përfaqësuesve në janar.

Njëra prej anëtareve të sapozgjedhura në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratja nga Florida, Lois Frankel shprehu besimin se gratë qeverisin ndryshe nga burrat, e kjo për shkak të rolit të tyre si kujdestare kryesore për fëmijët dhe prindërit e moshuar.

“Mendoj se ne sjellim një perspektivë tjetër, sepse shumë prej nesh, kemi krijuar familjen dhe e kemi bërë këtë duke qënë pjesë e forcës punëtore”.

Jess McIntosh është zëdhënëse e organizatës Emily's List, e cila punon për zgjedhjen e grave demokrate në Kongres. Ajo thotë se studimet tregojnë se gratë janë më të prirura për kompromis, një aspekt ky që mund të jetë shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës së buxhetit në Shtetet e Bashkuara.

“Në një kohë politikash kaq të polarizuara dhe kaq të vështira për të arritur konsensus, prania e femrave, që kanë prirjen të bashkëpunojnë në një organ legjislativ, do të jetë positive për vendin”.

Ekspertja e shkencave politike, Jennifer Lawless në Universitetin Amerikan në Uashington shpreh kënaqësi që numri i grave po shtohet në Kongresin amerikan, por ajo thekson se mbetet ende punë për t’u bërë sepse, grate, të cilat përbëjnë 50 për qind të popullsisë, nuk janë barabar të përfaqësuara në poste të zgjedhura federale.
XS
SM
MD
LG