Lidhje

SHBA: Ndikimi i ndryshimeve të imigracionit


Gjatë viteve, shumë njerëz kanë qenë në gjendje të imigrojnë në Shtetet e Bashkuara pasi janë sponsorizuar nga vëllezërit ose motrat, shtetas amerikanë. Kohët e fundit, Senati miratoi një projektligj, që mund ta ndryshojë këtë, pra mund të mos lejojë shtetasit amerikanë që të sponsorizojnë motrat e vëllezërit si dhe fëmijët 31 vjeç e lart. Ndonëse projekt-ligji nuk është miratuar ende, grupe të të drejtave civile, veçanërisht komunitete aziatiko-amerikane, po e kundërshtojnë atë.

Është një ditë e nxehtë dhe Nathanel Lowe sapo ka filluar punën. Ai po organizon 60 njerëz, të cilët do të shkojnë derë më derë në lagje me popullsi të mëdha aziatiko-amerikane. Grupi i tij quhet aziatiko-amerikanët avancojnë drejtësinë.

“Ne po u kërkojmë qytetarëve që të telefonojnë përfaqësuesit e tyre në Kongres për t’u kërkuar që të mbështesin një reformë imigracioni të drejtë dhe humane”.

Zoti Lowe thotë se nuk është e drejtë nëse neni i projektligjit mbi ribashkimin familjar, i miratuar tashmë në Senat bëhet ligj, pasi ai do t’i jepte fund mundësisë së qytetarëve amerikanë që të sponsorizojnë mortat dhe vëllezërit si dhe fëmijët e rritur mbi 31 vjeç.

“Xhaxhallarët dhe hallat e mija u sponsorizuan nga babai. Nëse ligji ndryshon dhe ndalon sponsorizimin e motrave dhe vëllezërve, familjet, si jona, nuk do të jenë në gjendje të ribashkohen”.

Në bazë të ligjit aktual, bashkëshortët, fëmijët e moshës 21 vjeçare e poshtë si dhe prindërit e qytetarëve amerikanë kanë përparësi dhe nuk kanë nevojë të presin për vizë. Megjithëtë ka një kufi për numrin e vizave që u jepen të afërmve, që konsiderohen me përparësi më të ulët, duke përfshirë këtu motra e vëllezër si dhe fëmijë të rritur.

Projektligji i Senatit, që do të eliminonte aftësinë e qytetarëve për të sponsorizuar motrat, vëllezërit si dhe fëmijët e rritur nuk dihet se kur do të bëhet ligj. Ndërkohë, Dhoma e Përfaqësuesve duhet të miratojë versionin e saj të këtij projektligji para se ligjvënësit amerikanë të finalizojnë një paketë reforme. Megjithatë, profesori i shkencave politike, Dan Schnur thotë se grupet e të drejtave civile kanë të drejtë të shqetësohen.

“Në se Kongresi miraton një reformë të gjithanshme të imigracionit në të ardhmen e afërt, natyra e diskutimit deri tani tregon se neni i ribashkimit familjar, në projektligjin ekzistues, nuk do të mbijetojë”.

Profesor Schnur beson se kategoria e motrave dhe vëllezërve është në rrezik sepse shumë ligjvënës amerikanë mendojnë se familja përfshin prindërit dhe fëmijët e vegjël dhe jo motrat e vëllezërit, madje as edhe fëmijët e rritur. Ai thotë se ligjvënësit kanë parasysh edhe nevojat ekonomike e ato të punësimit në Shtetet e Bashkuara.

“Argumenti që paraqitet shpesh në Uashington është që të zgjerohen kategoritë, që përfshijnë personat me aftësi të veçanta punësimi, me lloje të veçanta trajnimi arsimor dhe përvoje pune”.

Projekt ligji i miratuar në Senat shton numrin e vizave për njerëzit, me arsim të lartë në Shtetet e Bashkuara në shkencë dhe teknologji dhe krijon një kategori të re vize për punëtorët më pak të kualifikuar në sektorë si bujqësia.

Grupi Aziatiko-Amerikanët Avancojnë Drejtësinë thotë se eliminimi i nenit për sponsorizimin e motrave, vëllezërve dhe fëmijëve të rritur do të prekte më shumë njerëzit nga Azia.

“Sponsorizimi i vëllezërve dhe motrave përdoret më së shumti nga komuniteti aziatiko-amerikan. Latinët, për shkak të pozitës së afërt gjeografike, hyjnë në Shtetet e Bashkuara pa ndonjë inspektim”.

Grupi Aziatiko-Amerikanët Avancojnë Drejtësinë po ofron klasa si kjo që të ndihmojë njerëzit të aplikojnë për viza për motrat, vëllezërit dhe fëmijët e rritur në rast se projekt ligji i Senatit bëhet ligj.
XS
SM
MD
LG