Lidhje

SHBA: Ligji i ri i imigracionit dhe deportimet


Një nga çështjet më të vështira që ligjvënësit do ta trajtojnë gjatë diskutimeve mbi reformën e imigracionit është ndikimi emocional dhe financiar i këtij ligji mbi fëmijët e atyre që mund të deportohen. Zëri i Amerikës ka vizituar një familje palestineze në Bruklin të Nju Jorkut, e cila është në krizë që kur u deportua nëna e fëmijëve.

Deportimet shpesh shkaktojnë ndarje në familje. Nëntëmbëdhjetë vjeçarja palestinezo-amerikane Janna Hakim dhe motra e saj Saba kujtojnë natën kur nëna e tyre Fatin u deportua nga agjentët e imigracionit.

Janna: “Agjentët erdhën në shtëpi”.

Saba: “Unë isha pothuaj në gjumë, kur nëna ime erdhi në dhomë dhe më tha ‘Saba, zgjohu’. Ata do të më marrin mua”.

Janna: “Motra ime e kishte pyetur zyrtarin e imigracionit se çfarë po ndodhte. Ai i kishte thënë motrës se kishte një urdhër-arrest për nënën e tyre”.

Saba: “Zyrtari i imigracionit e siguronte nënën duke i thënë mos u shqetësoni. Do të ktheheni në shtëpi së shpejti. Ju keni fëmijë”.

Fatin tani jeton në Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Ajo në vitin 1989 erdhi në SHBA nga Belize me një vizë turistike. Zyrtarët e imigracionit e kthyen atë në Belize. Ajo është shtetase e këtij vendi. Largimi nga fëmijët e saj amerikanë ishte një ngjarje traumatike për të.

“Mirupafshim Bruklin, mirupafshim Nju Jork. Ju lutem kujdesuni për fëmijët e mi”.

Për shkak të mungesës së dokumenteve izraelite të identifikimit, ajo i frikësohet një deportimi tjetër në Belize.

Saba: “E kuptoj që ka ligje dhe ato nuk mund t’i shkelësh, por mendoj se duhet të ketë përjashtime. Ajo u deportua pavarësisht se jetoi këtu njëzet vite, ndërtoi jetën këtu dhe lindi katër fëmijë”.

Janna: “Harrojeni faktin se kjo nuk është e drejtë për nënën time. Po për ne? A nuk jemi ne qytetarë amerikanë? A nuk kemi lindur këtu? A nuk kemi të drejtë të trajohemi në mënyrë të drejtë dhe të barabartë si gjithë të tjerët? Si është e drejtë marrja e nënës sime nga unë dhe motra ime?”

Babai i fëmijëve, i cili gjithashtu është emigrant pa dokumente, është me aftësi të kufizuara dhe nuk mund të punojë për të mbështetur familjen. Pra, Janna dhe Saba duhet të jenë burimi kryesore i të ardhurave, duhet të kujdesen për familjen dhe të shkojnë në shkollë. Janna përpiqet të tregojë vetëm forcën para familjes së saj.

“Nuk dua të tregoj anën emocionale. Nuk mendoj se ata duhet ta shohin atë dhe shpresoj se ata kurrë nuk do ta shohin atë. Sepse unë dua të jem një shembull i mirë. Dua ta inkurajojë familjen që të punojmë së bashku dhe ta kthejmë nënën këtu”.

Jeta është e vështirë për vëllain e tyre 16 vjeçar, Muhamedin. Ai është i tërhequr, vuan nga ankthi dhe ka vështirësi në shkollë.

Janna shpreson se nëna e saj do të lejohet të kthehet në shtëpi, megjithëse për momentin, Fatin e ka të ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Ligji për reformën e imigracionit mund ta ndryshojë këtë. Ndërkohë, Janna ndjek mësimet në një kolegj lokal dhe ka ëndrra të mëdha për të ardhmen.

“Arsyeja kryesore për ëndrrën time është nëna ime. Pra, unë dua të bëhem avokate mbrojtëse dhe avokate e imigracionit. Unë jam duke punuar në këtë drejtim jo vetëm për të ndihmuar nënën time në të ardhmen, por edhe të tjerët që përballen me këto vështirësi. Sepse askush nuk duhet të kalojë nëpër një situatë të tillë”.

Në vitin 2012, 400 mijë emigrantë pa dokumenta u deportuan. Teknologjia i ofron të vetmin ngushëllim kësaj familje. Ndërkohë që dielli përëndon në Bruklin të Nju Jorkut dhe në Ramallah, kalon edhe një ditë tjetër e ndarjes së një nëne nga fëmijët e saj. Punësimi është arsyeja kryesore për njerëzit që emigrojnë në SHBA.

Dy të tretat e 11 milionë njerëzve pa dokumente që jetojnë në SHBA kanë më shumë se 10 vjet që qëndrojnë në vend. Pothuajse gjysma e tyre jetojnë në familje me një bashkëshort dhe një fëmijë, i cili në shumicën e rasteve është shtetas amerikanë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG