Lidhje

Një incident në Nju Jork ngjall tensione mes SHBA dhe Indisë


Një mosmarrëveshje ndërkombëtare, e shkaktuar pas arrestimit të një zyrtareje të lartë të konsullatës indiane në Nju Jork, nuk është zgjidhur ende. Zyrtarja indiane akuzohet se ka paguar një punonjëse shtëpiake shumë më pak sesa minimumi i rrogës në Nju Jork dhe e ka detyruar atë të gënjejë në aplikimin për vizë amerikane. Protestuesit indianë thonë se arrestimi i saj shkel imunitetin diplomatik.

Në Indi, indinjata zyrtare dhe popullore vazhdoi lidhur me arrestimin javën e kaluar në Nju Jork të zëvendës konsulles së përgjithshme Devyani Khobragade nga autoritetet amerikane.

Në një konferencë shtypi dje, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Marie Harf u përpoq të zbuste tensionet me Indinë, një marrëdhënie e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara.

“Incidenti nuk duhet të jetë përcaktues dhe nuk duhet të ndikojë negatibisht tek kjo marrëdhënie. Vëmendja jonë është përqendruar tek bisedimet në nivele të ndryshme për të çuar përpara këtë lidhje, për shikuar përtej këtij episodi dhe për t’i dhënë mundësi procesit ligjor dhe gjyqësor të bëjë punën e vet”.


Por Dan Arshack, avokati i zonjës Khobragade do që procesi kundër klientes së tij të ndalet. Ai thotë se arrestimi dhe kontrolli i saj i imët trupor shkeli imunitetin diplomatik, të garantuar nën ligjin ndërkombëtar.

“Shpresojmë që të mos na duhet t’u përgjigjemi akuzave në gjykatë, sepse ne shpresojmë që kjë çështje të zgjidhet në nivel diplomatik. Por kemi bindjen që nëse do na duhet të shkojmë në gjyq, do të na jepet e drejta”.

Jo Becker e Human Rights Watch e kupton situatën e zonjës Khobragade por nuk ndryshon qëndrim.

“Diplomatja është akuzuar për një krim dhe ka pasur indinjatë për trajtimin e saj, faktin që u ndalua dhe u kontrollua. Por ky debat ka lënë krejtësisht në hije shfrytëzimin e gruas që ajo ka punësuar dhe shkelje të tjera të ngjashme që ndodhin çdo ditë në botë”.

Duhet gjetur një ekuilibër mes pikëpamjeve të ndryshmem, thotë profesori i së Drejtës në Universitetin Pace Thomas McDonnell. Ai mendon se qeveria indiane e ka tepruar me reagimin e saj.

“Ideja e heqjes së barrierave të betonit para ambasadës sonë, që mbrojnë ambasadorin tonë dhe zyrtarë të tjerë në atë ambasadë nga një sulm terrorist më duket jashtëzakonisht e tepruar. Prandaj unë mendoj se ajo që po bëjnë ata është shumë më e keqe se ajo që po bëjmë ne”.

Askush nuk e di se çfarë kthese do të marrin ngjarjet pas këtij incidenti, por një gjë është e sigurt. Diplomatët dhe punonjësit e tyre shtëpiakë në gjithë botën do t’i ndjekin me vëmendje zhvillimet.
XS
SM
MD
LG