Lidhje

SHBA-Irak premtojnë marrëdhënie strategjike të fuqishme pas tërheqjes amerikane

  • Dan Robinson

Nouri al-Maliki and president Obama, Dec 12, 2011

Nouri al-Maliki and president Obama, Dec 12, 2011

Kur kanë mbetur më pak se tre javë nga largimi i trupave të fundit luftarake amerikane nga Iraku, dhe afro nëntë vite pas ndërhyrjes amerikane për të përmbysur Sadam Huseinin, Presidenti Barak Obama dhe kryeministri Maliki u ulën për të diskutuar të ardhmen e marrëdhënieve amerikano-irakiane. Në rolin e kandidatit për president në vitin 2008, zoti Obama premtoi një përfundim të përgjegjëshëm të luftës së filluar nga pararendësi i tij republikan, George W. Bush dhe një prej konflikteve më përçarëse në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Zoti Obama tha se ai e ka përmbushur atë premtim, dhe përmes një konference shtypi me zotin Maliki theksoi se ndërkohë që irakianët tani janë përgjegjës për sigurinë e vendit të tyre, angazhimi amerikan ndaj stabilitetit dhe sigurisë në Irak nuk do të zvogëlohet.

“Kemi investuar jetë dhe pasuri në Irak dhe dëshirojmë të sigurohemi se edhe pasi të tërheqim trupat e fundit nga ai vend, të kuptohet më së miri si në Irak edhe këtu në Shtetet e Bashkuara që angazhimi ynë për suksesin e Irakut do të jetë i fortë.”

Zoti Obama tha se Iraku përballet me sfida, përfshi sulmet e vazhdueshme nga ata që kërkojnë të përmbysin përparimet e Irakut, por tha se ai ka besimin se Iraku mund të ja dalë mbanë. Ai tha se ai dhe zoti Maliki riafirmuan vizionin e përbashkët të një partneriteti gjithpërfshirës afatgjatë, përfshi bashkëpunimin në siguri, antiterrorizëm, zhvillimet ekonomike dhe forcimin e institucioneve irakiane. Duke folur përmes një përkthyesi, zoti Maliki tha se tërheqja amerikane simbolizon fazën e parë të suksesit të një marrëdhënie të re.

“Ne kemi patur sukses në misionin e parë, një sukses shumë unik, askush nuk imagjinonte se ne do të kishim sukses në mundjen e terrorizmit dhe al-Kaidës. Po ashtu, ne duhet të ndërtojmë hapat e duhur për të patur sukses në fazën e dytë që janë marrëdhëniet e qendrueshme në bazë të Marrëveshjes së Kornizës Strategjike.”

Diskutimet amerikano-irakiane vazhdojnë në zbatimin e Marrëveshjes së Korrnizës Strategjike, dhe për trajnimin amerikan të forcave irakiane. Të dy palët nuk mundën të arrinin një marrëveshje mbi këtë çështje gjatë vitit të kaluar.

Zoti Obama theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë asnjë bazë në Irak. Ai tha se një mision i gjerë diplomatik do të ndihmojë në ndërtimin e lidhjeve efektive diplomatike, civile dhe ushtarake.

Presidenti përmendi trajnimin e përdorimit të avionëve luftarak F-16 të blerë nga Iraku, manovrat e përbashkëta ushtarake dhe operacionet e përbashkëta kundër terrorizmit. Shtëpia e Bardhë konfirmoi se administrata e Presidentit Obama njoftoi Kongresin se ka në plan t’i shesë Irakut edhe një sasi tjetër aeroplanësh F-16.

Presidenti Obama shprehu nderim për më shumë se 1 milion amerikanë që sherbyen në Irak dhe 4,500 që humbën jetën dhe mijëra të plagosur, si dhe për irakianët që dhanë jetën.

“Ata janë shkaku që ne jemi këtu sot dhe ua kemi borxh çdo njërit prej tyre, ne kemi një obligim moral ndaj të gjithëve që të ndërtojmë një të ardhme të denjë për sakrificën e tyre.”

Dy udhëheqësit shkuan në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit ku sëbashku vunë një kurore në statujën e ushtarit të panjohur, një permendore që nderon ushtarët e rënë që nuk u janë gjetur trupat.

Bisedimet e së henës në Shtepinë e Bardhë erdhën ndërkohë që zyrtarët amerikan dhe irakian shqetësohen se tërheqja amerikane mund të çojë tek dobësimi i sigurisë dhe shtimi i dhunës.

Zoti Obama u pyet rreth komentit që bëri ndërkohë që kandidonte për president ku e përshkroi luftën në Irak si “luftë të pamend”. Ai tha se historia do të gjykojë vendimin për të ndërhyrë në Irak, duke shtuar se është tërësisht e qartë se sakrificat e bëra nga ushtarët dhe civilët amerikan, e kanë bërë të mundshme një Irak që po vetqeveriset, që përfshin të gjitha forcat dhe ka potencial të madh.

XS
SM
MD
LG