Lidhje

SHBA vazhdojnë sulmet kundër ISIS


Avionët luftarakë amerikanë, avionë të telekomanduar dhe bombardues të tjerë goditën sot objektiva të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, ndërkohë që Britania, Danimarka dhe Belgjika u bashkuan me koalicionin e udhëhequr nga SHBA që lufton kundër këtij grupi.

Komanda Qendrore amerikane CENTCOM, tha se tre sulme ajrore afër provincës Deir el-Zour të Sirisë shkatërruan katër tanke dhe dëmtuan një tjetër.

Një grup monitorimi për luftën në Siri tha se në shënjestër ishin me sa duket objektet e naftës. Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut tha se u godit gjithashtu një qendër komande e grupit Shteti Islamik.

Në veri të Sirisë, një video e postuar në mediat sociale tregon luftëtarët kurdë duke ndërmarrë sulme ndaj objekteve të Shtetit Islamik pranë qytetit Kobani, që për ditë të tëra ka qenë në qendër të një beteje mes dy palëve.

Rrjeti televiziv amerikan CNN në një transmetim të drejtpërdrejtë nga ana turke e kufirit me Sirinë tregon luftëtarë të Shtetit Islamik duke lëvizur nëpër një kodër pranë Kobanit ndërsa luftojnë me forcat kurde, siç dukej edhe nga pamjet.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel tha sot se goditjet u mohojnë militantëve lirinë e lëvizjes. Ai tha se më shumë se 200 sulme ajrore janë kryer në Irak këtë javë dhe 43 në Siri. Ai gjithashtu tha se kishte folur me sekretarin britanik të mbrojtjes dhe përshëndeti vendimin e Britanisë për t'u bashkuar me fushatën ajrore në Irak.

Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, Martin Dempsey tha dje se fushata e tanishme ushtarake e koalicionit është një strategji që vë Irakun në plan të parë por nuk është vetëm për Irakun. Ai tha se sulmet në Siri tregojnë se luftëtarët e Shtetit Islamik nuk kanë asnjë strehë të sigurt.

Në një zhvillim tjetër, kryeministrja e Danimarkës, Helle Thorning-Schmidt njoftoi sot se vendi i saj do të verë në dispozicion shtatë avionë luftarakë F-16 për sulme ajrore në Irak. Belgjika po kontribuon me gjashtë avionë F-16.

XS
SM
MD
LG