Lidhje

SHBA blen elementët bërthamorë të Iranit


Shtetet e Bashkuara po blejnë 32 tonë të një përbërësi kryesor të programit për zhvillimin e armëve bërthamore të Iranit, në përpjekje për ta ndihmuar Teheranin të zbatojë marrëveshjen bërthamore. Departamenti i Shtetit dhe ai i Energjisë konfirmuan blerjen e ujit të rëndë, që mund të përdoret për të prodhuar plutonium të gradës ushtarake.

Lajmi u mësua pak përpara takimit të djeshëm ndërmjet Sekretarit të Shtetit John Kerry dhe Ministrit të Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif gjatë punimeve për marrëveshjen klimatike të OKB-së në Nju Jork.

“Dua ta bëj të qartë se nuk kundërshtojmë angazhimin e bankave të huaja me bankat dhe kompanitë iraniane, për sa kohë që ato nuk radhiten në listën tonë të sanksioneve për çështje jobërthamore,” tha Sekretari Kerry.

“Shpresojmë se pas kësaj deklarate të Sekretarit Kerry dhe hapave të tjera të ndërmarra nga SHBA-ja, të shikojmë zbatimin e marrëveshjes dhe të përfitimeve që Irani duhet të marrë prej saj,” tha zoti Zarif.

Irani është ankuar se nuk janë lehtësuar sanksionet sipas marrëveshjes dhe se ka ende kufizime prej institucioneve financiare.

SHBA-ja shpreson ta shesë ujin e rëndë për arsye kërkimore, ndërkohë që nuk është angazhuar për blerje të ardhshme nga Irani.

XS
SM
MD
LG