Lidhje

SHBA: Ende herët për të hequr sanksionet kundër Iranit


Sekretari amerikan i Thesarit Jacob Lew thotë se bisedimet për një lehtësim të mundshëm të sanksioneve amerikane kundër Iranit janë të parakohëshme, pavarësisht nga diskutimet e javës së kaluar në Gjenevë lidhur me programin bërthamor të Teheranit.

Shtëpia e Bardhë i përshkroi bisedimet e fundit mes diplomatëve perëndimorë dhe Iranit si sinjal i një niveli të ri “serioziteti dhe domethënieje. Por në komentet në emisionin Meet the Press të rrjetit NBC, Sekretari Lew nuk dha shenja se administrata Obama ka në plan të reduktojë sanksionet, së paku jo për momentin.

"Është e parakohëshme të flasim për lehtësimin e sanksioneve. Mendoj se sanksionet po japin rezultat, prandaj filluan bisedimet. Duhet të sigurohemi se iranianët po ndërmarrin hapat për t’u larguar nga kapaciteti i armëve bërthamore. Duhet të shohim prova konkrete. Nuk do të heqim dorë nga sanksionet deri sa të ketë veprime nga Irani”.

Po në komentet për rrjetin NBC, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se rëndësi kanë rezultatet konkrete, jo deklaratat e iranianëve.

"Nuk bëhet fjalë për shpresa. Kërkohen rezultate aktuale. Rezultati duhet të jetë shpërbërja e plotë e programit bërthamor të Iranit. Nëse realizohet kjo, do të ishte shumë mirë. Nëse arrihet në mënyrë paqësore, aq më mirë”.

Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është paqësor dhe pavarësisht nga sanksionet ndërkombëtare nuk ka pranuar të ndalë pasurimin e uraniumit.

Ministri i Jashtëm i Iranit Mohammed Javad Zarif foli javën e kaluar mbi shpresat për të ndalur atë që e cilësoi si “krizë e panevojshme”.

"Ka çështje më të rëndësishme që duhet të zgjidhim. E drejta e Iranit për të zhvilluar teknologji bërthamore për qëllime paqësore, përfshirë pasurimin, mund të zbatohet me vullnetin e nevojshëm politik, pa shqetësimin e përhapjes së armëve bërthamore”.

Bisedimet e Gjenevës përfshinin Iranin dhe grupin 5+1, ku bëjnë pjesë pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermania.

Këto ishin diskutimet e para që pas zgjedhjet së presidentit të ri iranian Hasan Rouhani, i cili konsiderohet më i moderuar. Dy palët do të takohen përsëri muajin e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG