Lidhje

Sulmet ajore të SHBA godasin objektet e naftës të grupit ISIL


Aktivistët sirianë thonë se sulmet ajrore gjatë natës të udhëhequra nga SHBA dhe që kishin në shënjestër objektet e naftës të mbajtura nga grupi Shteti Islamik në verilindje të Sirisë vranë 14 militantë dhe pesë civilë. Edhe Franca tha se avionët e saj luftarakë kryen një raund të ri sulmesh ajrore kundër objektivave të grupit Shteti Islamik në Irak.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Britani tha sot se sulmet gjatë natës goditën zonat Deir el-Zour dhe Hassakeh.

Dje, forcat amerikane dhe ato nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kryen 13 sulme ajrore në Sirinë lindore si pjesë e një operacioni kundër grupit Shteti Islamik.

Komanda Qendrore amerikane, e cila mbikqyr operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, tha se sulmet kishin në shënjestër rafineritë e vogla të naftës që sigurojnë deri në 2 milion dollarë fitim në ditë për militantët. Besohet se grupi Shteti Islamik mban 11 fusha nafte në Irak dhe Siri.

Edhe Franca tha se avionët e saj luftarakë kryen një raund të ri sulmesh ajrore kundër objektivave të grupit Shteti Islamik në Irak.

Parisi iu bashkua veprimeve ushtarake të udhëhequra nga SHBA në fillim të këtij muaji. Presidenti francez François Hollande thirri një takim urgjent të këshillit të tij të mbrojtjes pas ekzekutimit me prerje koke të një pengu francez nga militantët e lidhur me grupin Shteti Islamik në Algjeri.

Militantët vranë 55-vjeçarin Herve Gourdel pas kërkesës së tyre që Franca të ndalte sulmet ajrore në Irak.

Presidenti amerikan Barak Obama u bëri thirrje luftëtarëve të Shtetit Islamik të "largohen nga fusha e betejës sa nuk është vonë." Ai i bëri komentet dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Zoti Obama fajësoi konfliktet sektare në botë që, siç tha ai, kanë krijuar një "terren pjellor rekrutimi" për grupe si Shteti Islamik, i cili ka marrë pjesë të Sirisë dhe Irakut në një fushatë të armatosur e të përgjakshme, që vazhdon prej disa muajsh.

"Përballë kësaj të keqeje nuk mund të ketë arsyetim, as negociata. E vetmja gjuhë që kuptoojnë vrasës të tillë është gjuha e forcës. Prandaj, Shtetet e Bashkuara do të punojnë me një koalicion të gjerë për të shkatërruar këtë rrjet të vdekjes..," tha Presidenti Obama.

Po dje, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun u bëri thirrje udhëheqësve botërorë për një "diskutim të sinqertë" lidhur me shkaqet e ekstremizmit në rajon.

Javën e kaluar, ofensiva e grupit Shteti Islamik në Sirinë veriore shkaktoi zhvendosjen e më shumë se 130,000 civilëve.

XS
SM
MD
LG