Lidhje

SHBA: Java e fundit e fushatës së zgjedhjeve për në Kongres

  • Jim Malone

SHBA: Java e fundit e fushatës së zgjedhjeve për në Kongres

SHBA: Java e fundit e fushatës së zgjedhjeve për në Kongres

Sipas anketave të opinionit publik dhe komentatorëve politikë, republikanët vazhdojnë të kenë epërsi, ndërkohë që fushata zgjedhore për Kongres ka hyrë në ditët e fundit.

Shumica e amerikanëve thonë se ekonomia është çështja kryesore këtë vit dhe mendimi negativ i publikut për gjendjen e ekonomisë ka gjasë të dëmtojë demokratët dhe të ndihmojë republikanët në ditën e zgjedhjeve, më 2 nëntor.

Mes kandidatëve republikanë që po zhvillojnë fushatë është kongresmeni nga Ohajo, Xhon Bejnër, i cili mund të bëhet Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve nëse republikanët fitojnë shumicën e vendeve në atë dhomë.

“Nëse jeni lodhur nga papunësia e lartë, nëse jeni lodhur nga shtetëzimi i institucioneve dhe paketat për shpëtimin ekonomik, atëherë këto zgjedhje janë për t’i dhënë fund kësaj.”

Anketat gjithashtu tregojnë se republikanët janë më entuziastë, ndonëse ka shenja se në ditët e fundit të fushatës po zgjohen edhe demokratët që kanë qëndruar gjakftohtë.

Vrulli republikan është shkaktuar kryesisht nga lëvizja “Tea Party”, një koalicion i gjerë mbarëkombëtar i grupeve me pikëpamje konservatore dhe libertariane, që po kërkon shkurtimin e shpenzimeve dhe taksave si dhe rol më të vogël të qeverisë qendrore në përgjithësi.

Në ditët e fundit ka pasur shenja se po ngushtohen disa gara kyçe për në Senat, duke u dhënë shpresë demokratëve, të cilët kanë frikë nga mundësia e humbjes së kontrollit në të dy dhomat, Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat.

Republikanëve u duhet të fitojnë 39 vende për të rimarrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve si dhe 10 vende për të siguruar përsëri shumicën në Senat.

Riçard Uolf, analist politik për televizionin MSNBC, ishte i ftuar në programin e Zërit të Amerikës “Issues in the News”. Ai tha:

“Është një garë shumë e ngushtë, megjithë parashikimet. Po të shohim rezultatet e anketave në çdo shtet dhe në çdo distrikt, pak a shumë, në të gjitha garat e rëndësishme, dallimi mes kandidatëve është brenda tolerancës së gabimit.”

Demokratët janë të vetëdijshëm se do të dalin keq në zgjedhje nëse votuesit i shohin zgjedhjet vetëm si referendum për partinë në pushtet, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë ekonomike.

Dhe ndërsa bën fushatë për kandidatët demokratë në mbarë vendit, Presidenti Barak Obama nxit votuesit që zgjedhjet t’i shohin si zgjidhje mes kthimit mbrapa ose ecjes përpara.

“Gjithë strategjia e fushatës së tyre është amnezia. Prandaj, nuk duhet të harroni se këto zgjedhje janë zgjidhje mes politikave që na sollën në këtë tollovi në radhë të parë dhe politikave që po na nxjerr nga kjo gjendje.” - tha presidenti Obama

Megjithëse disa anketa tregojnë se disa gara kyçe në Senat janë ngushtuar ditët e fundit, pasashikimi i anketave në përgjithësi duket më i favorshëm për republikanët sesa demokratët.

Karlin Bouman mbikqyr anketat e opinionit në Institutin Amerikan Entreprise në Uashington, dhe thotë:

“Të gjitha anketat tregojnë se publiku mbetet i pakënaqur me presidentin, me Kongresin, me partitë dhe me mënyrën se si po shkojnë gjërat sot në vend.”

Grupet vëzhguese të fushatës thonë se këto zgjedhje mund të jenë më të shtrenjat ndër ato që zhvillohen në mes të mandatit presidencial.

Ata llogarisin se 2 miliardë dollarë mund të shpenzohen deri në fund të fushatës javën që vjen. Shpenzime të tilla u bënë të mundura pjesërisht për arsye të një vendimi të Gjykatës së Lartë, këtë vit, i cili ndryshoi ligjet për financimin e fushatave dhe u lejoi korporatave dhe sindikatave të shpenzonin sasi të pakufizuara parash në reklama televizive që bëjnë thirrje për zgjedhjen ose humbjen e një kandidati të caktuar.

XS
SM
MD
LG