Lidhje

SHBA kërkojnë kthimin e demokracisë në Tajlandë


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel i kërkoi udhëheqësve të grushtit të shtetit në Tajlandë që të lirojnë të ndaluarit dhe të mbajnë menjëherë zgjedhjet e përgjithshme, pasi udhëheqësi ushtarak, Gjenerali tajlandez Prajut Çan Oça tha se rivendosja e pushtetit civil është ndoshta të paktën një vit larg:

"Ne i bëjmë thirrje forcave të armatosura tajlandeze të lirojnë të arrestuarit, t’i japin fund kufizimeve të shprehjes së lirë , dhe menjëherë të rivendosin pushtetin në duart e popullit të Tajlandës përmes organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të drejta".

Duke folur sot në një konferencë mbi sigurinë e vendeve aziatike në Singapor, Sekretari Hagel tha se Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar lidhjet e saj ushtarake me Tajlandën.

Mbrëmë në një fjalim televiziv drejtuar vendit, Gjenerali Prajut tha se një proces i pajtimit dhe reformave politike duhet të ndodhë para zgjedhjeve:

" Do të krijohet një këshill legjislativ për të zgjedhur kryeministrin, për të emëruar kabinetin qeveritar që do të mbikëqyr administratën; po ashtu, këshilli do të hartojë kushtetutën e re, si dhe do të krijojë një këshill të reformave, për të reformuar të gjitha çështjet që ka kërkuar shoqëria dhe që janë të pranueshme për të gjitha grupet. Realizimi i këtyre kërkesave ka të ngjarë të marrë një vit".

Ai gjithashtu i paralajmëroi protestuesit që të ndalojnë protestat kundër grushtshtetit ushtarak që ai udhëhoqi javën e kaluar, sepse, sipas tij, konflikti do të ngadalësojë procesin e rivendosjes së pushtetit civil.

Një ekspert i ushtrisë tajlandeze thotë se reformat politike do të ishin më të lehta, në qoftë se ushtria do të ruante paqen:

"Një numër problemesh politike do të mund të zgjidheshin shumë më të lehtë në qoftë se trazirat do të kontrolloheshin nga ushtria. Pikërisht atëherë ushtria do të merrte parasysh hartimin e një kushtetute të re, miratimin e reformave, formimin e një qeverie dhe zgjedhjen e një kryeministri të ri".

Udhëheqësit ushtarakë të Tajlandës, që kur morën pushtetin javën e kaluar, kanë ndaluar protestat dhe kanë arrestuar qindra zyrtarë të qeverisë, politikanë dhe aktivistë që kundërshtojnë grushtin e shtetit.

Shumica e tyre u liruan pasi premtuan se do të hiqnin dorë nga protestat, por të tjerët përballen me ndjekje penale.

Në Uashington, zëdhënësja Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara nuk e shohin si arsye legjitime shtyrjen e organizimit të zgjedhjeve në Tajlandë.

Tajlanda është e ndarë në masë të madhe në mes të përkrahësve dhe kundërshtarëve të ish kryeministrit Thaksin Shinawatra, i cili jeton në mërgim, pasi u rrëzua nga pushtetit përmes një grusht shteti në vitin 2006.

XS
SM
MD
LG