Lidhje

Më shumë a më pak kamera sigurie?


Në vazhdën e shpërthimeve në maratonën e Bostonit, ka nisur një debat rreth vendosjes ose jo të më shumë kamerave mbikëqyrjeje në mjediset publike. Kjo çështje është debatuar për shumë vite në Britani - një ndër vendet me numrin më të lartë të kamerave televizive me qark të mbyllur në botë. Materiali në vazhdim sjell hollësi nga përpjekjet për të kuptuar se cili duhet të jetë ekuilibri mes respektimit të jetës private dhe mbrojtjes publike.

FBI-ja publikoi pamje prej kamerave të sigurisë të të dyshuarve për bombardimet në Boston tre ditë pas sulmit, të regjistruara vetëm pak momente para se dy bombat të shpërthenin.

Peter J. Ahearn, ish-agjent special i FBI-së, thotë se kamerat e mbikëqyrjes janë tani një nga mjetet kryesore të hetimit.

"Gjëja e parë që bëhet në çdo lloj krize në një zonë të caktuar është marrja e filmimeve. Shikohen videot prej bankomateve apo prej çdo burimi tjetër, pra një ekip hetuesish dhe analistësh fillojnë të punojnë me pamjet."

Autoritetet e Bostonit thonë se, herën e fundit që ishin numëruar në vitin 2007, qyteti kishte 147 kamera sigurie dhe më shumë se 400 në autobusë dhe metro, duke mos përfshirë kamerat private.

Tani, disa njerëz janë duke bërë thirrje për shtimin e këtyre kamerave, duke cituar histori suksesi të përdorimit të tyre në Londër, ku këto aparate mbikëqyrjeje janë kudo.

Kamerat e sigurisë me qark të mbyllur në stacionet hekurudhore ishin një element i rëndësishëm për të përshpejtuar identifikimin e terroristëve që sulmuan rrjetin e transportit në Londër, në korrik të vitit 2005.
Deputeti konservator Philip Davies i konsideron ato një "mjet vendimtar" për shërbimet e sigurisë dhe të policisë.

"Jo vetëm për identifikimin e përgjegjësve të krimeve pasi ngjarja ka ndodhur, por ndonjëherë edhe për identifikimin e vendndodhjes dhe parandalimin e atyre njerëzve që janë identifikuar më parë dhe që mendohen se mund të ndërmarrin veprime të tjera."

Sipas vlerësimeve, numri i kamerave të vëzhgimit në të gjithë Britaninë mendohet të jetë nga 1,8 deri në 4 milionë. Nick Pickles punon për organizatën "Big Brother Watch" e cila është për një respektim më të madh të privatësisë.

"Debati duhet të jetë rreth mënyrës se si të parandalojmë krimin. Dhe nëse ka një gjë që Londra ka vërtetuar si qytet, është se kamerat kanë bërë shumë pak për frenimin e kriminelëve, shumë pak për të ulur nivelin e krimit. Dhe në rastet e një incidenti të rëndë, siç pamë tragjikisht në Boston, përdorimi i këtyre kamerave nuk është i dobishëm për të parandaluar sulme të tilla."

Por londinezët me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës përgjithësisht i mbështesin kamerat.

"Shumë krime në ditët e sotme zgjidhen me anë të kamerave, prandaj unë jam në favor të tyre."

"Kamerat e sigurisë janë një gjë e mirë. Por ndonjëherë varet nga situata. Ka raste që policia e tepron."


Hetuesit në Boston vunë në dukje rolin vendimtar që luajti publiku në identifikimin e të dyshuarve. Richard Deslauriers është agjent i Departamentit të FBI-së në Boston.

"Për më shumë se 100 vjet FBI-ja është mbështetur tek publiku, për të qenë sytë dhe veshët e saj. Me ndihmën e medias, brenda një çasti këto imazhe dërgohen direkt tek miliona njerëz në mbarë botën."

Autoritetet e sigurisë thonë se vigjilenca publike mbetet vija e parë e mbrojtjes në parandalimin e sulmeve terroriste si ato në Boston dhe në Londër.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG