Lidhje

SHBA: Ligjvënësit zbutin qendrimet për buxhetin


Ligjvënësit amerikanë nuk po mbajnë qendrime intransigjente në negociatat për borxhin, qëllimi i të cilave është gjetja e alternativave për mosngritjen e taksave dhe shkurtimin e shpenzimeve që do të hynë në fuqi automatikisht më 1 janar. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Majkëll Bouman na informon se demokratët dhe republikanët thonë se duhet të miratojnë masa që nuk do t’i kënaqin mbështetësit e tyre në bazë për të shmangur “katastrofën fiskale” dhe për të ulur deficitin buxhetor prej një trilion dollarësh.

Kongresisti republikan Pitër King e diskutoi këtë çështje në programin Meet the Press të kanalit televiziv NBC.

“Ne nuk duhet të mbajë qendrime të ngurta”.

Kësaj pikpamje i bëri jehonë edhe Senatori demokrat Riçard Dërbin në programin This Week të kanalit televiziv ABC.

“Duke e hedhur gjithçka në tavolinë, ne mund ta zgjidhim problemin”.

Specifikisht, disa ligjvënës republikanë thonë se ata janë të gatshëm të lënë mënjanë zotimet e viteve të shkuara se nuk do të votonin kurrë për ngritjen e taksave, por do të punon për uljen e deficitit vetëm nëpërmjet shkurtimit të shpenzimeve. Senatori republikan Lindsi Graham foli gjithashtu në programin This Week:

“Unë do ta shkel zotimin për mosngritjen e taksave. Republikanët duhet ta hedhin çështjen e të ardhurave në diskutim”.

Po ashtu, Senatori Dërbin tha se demokratët duhet të rezikojnë edhe duke zëmëruar bazën e tyre mbështetëse duke përqafuar reforma për uljen e kostos së programeve për përmirësimin e kujdesit shëndetësor për pensionistët.

“Ne duam që Medicare të ekzistojë për të moshuarit sot dhe nesër. Ne mund të zbatojmë reforma të mirëqëna pa kompromentuar integritetin e programit”.

Megjithatë mosmarrëveshjet mes dy partive për këtë çështje janë ekzistente. Republikanët thonë se mënyra më e mirë për të shtuar të ardhurat janë kufizimet e zbritjeve nga taksat, në vend që të grihen taksat për të pasurit, siç kërkojnë Presidenti Barak Obama dhe ligjvënësit demokratë. Ndërsa demokratët janë dakord se kostoja e Medicare-it duhet kontrolluar, ata kundërshtojnë propozimet e republikanëve për reformimin e përgjithshëm të programit.

Por qendrimet e ngurta partiake janë zbutur, krahasuar me negociatat për borxhin vitin e kaluar që nuk arritën në marrëveshje, gjë që solli uljen e vlerësimit për kreditin e Shteteve të Bashkuara. Edhe një herë kongresisti Pitër King:

“Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, udhëheqësi i shumicës në Senat dhe presidenti do të diskutojnë sëbashku për të gjetur mënyrën më të mirë për uljen e borxhit. Unë nuk dua të paragjykoj asgjë. Ne nuk mund ta injorojmë katastrofën fiskale. Ne duhet t’i tregojmë botës pjekurinë tonë. Zgjedhjet morën fund”.

Për vite me radhë sondazhet e opinionit kanë treguar se amerikanët e kanë dashur sëtepërmi kompromisin dhe bashkëpunimin dypartiak më tepër se sa intransigjencën ideologjike dhe bllokimet në Uashington. Ekonomistët thonë se Shtetet e Bashkuara rezekohen nga një tjetër recesion ekonomik, nëqoftëse nuk arrihet marrëveshje për borxhin, para se të hynë në fuqi automatikisht ngritja e taksave dhe shkurtimi i shpenzimeve më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG