Lidhje

Përpjekje për shmangien e katastrofës fiskale


Presidenti amerikan Barak Obama ka kërkuar autoritet të ri për të përcaktuar një kufi tjetër të huamarrjes në vend, duke shtuar një element të ri në debatin e këtij fund-viti mbi shpenzimet qeveritare dhe politikat tatimore. Shtetet e Bashkuara përsëri po i afrohen kufirit ligjor të huamarrjes, që tani është i vendosur në rreth 16.4 trilionë dollarë. Ky kufi mund të arrihet në fillim të vitit 2013, dhe pa autorizimin e mëtejshëm të kongresit, Shtetet e Bashkuara nuk mund të shesin më shumë bono qeveritare të thesarit për të financuar operacionet e qeverisë.

Presidenti i sapo ri-zgjedhur i Partisë Demokratike po kërkon autoritet për rritjen e tavanit të borxhit, në kuadër të thirrjeve të tij për të ngritur taksat gjatë dekadës së ardhshme me një vlerë prej 1.6 trilionë dollarësh që eventualisht do të shkurtojë borxhin e vendit. Por kundërshtarët e tij republikanë në Kongres nuk janë të gatshëm t’i japin atij kompetenca të reja për ngritjen e tavanit të borxhit dhe rritjen e taksave. Ata po bëjnë thirrje për shkurtimin e shpenzimeve qeveritare në nivel të barabartë me çdo rritje të tavanit të borxhit dhe duan të kenë kontroll mbi përcaktimin e kufirit të borxhit.

Po zhvillohen një sërë aktivitetesh për të shpjeguar strategjinë e tij për shmangien e 600 miliardë dollarëve shkurtime shpenzimesh dhe rritje taksash që hyjnë në fuqi në 1 janar nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Republikanët në Kongres thonë se nuk ka pasur shumë sukses në zgjidhjen e një bllokimi politik për të shmangur të ashtuquajturën “katastrofë financiare”.

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner tha se ishte “i zhgënjyer” pasi bisedoi me presidentin të mërkurën dhe pas një takimi me Sekretarin e Thesarit Timothy Geithner dje.

“Para dy javësh, patëm një bisedë shumë produktive në Shtëpinë e Bardhë. Bazuar nga informacioni që kemi, do të thoja dy gjëra: së pari, pavarësisht nga pretendimet se Presidenti Obama mbështet një qëndrim të balancuar, demokratët ende nuk po merren seriozisht me shkurtimet e shpenzimeve. Dhe së dyti, nuk është bërë ndonjë përparim i dukshëm në bisedimet mes Shtëpisë së Bardhë dhe Dhomës së Përfaqësuesve gjatë dy javëve të fundit”.

Zoti Boehner, udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve që është nën kontrollin republikan, e kritikoi presidentin për organizimin e takimeve me taksapagues që mbështesin thirrjen e tij për eliminimin e shkurtimit të taksave për amerikanët më të pasur.

Por kreu shumicës demokrate në Senat, Harry Reid thotë se ata ende po presin për një ofertë serioze nga republikanët.

“Republikanët e dinë qëndrimin tonë. Ne e kemi përsëritur shpesh herë. Presidenti tha të njëjtën gjë. Kanë kaluar dy javë që kur u takuam në Shtëpinë e Bardhë. Ende jemi në pritje të një oferte serioze nga republikanët”.

Ndërkohë, nënpresidenti Joe Biden vizitoi një dyqan me shitje me shumicë dje në Uashington ku tha se ekonomia po rritet dhe se nuk duhet bërë asgjë që do ta frenonte atë rritje.

“Hidhini sytë përreth. Besimi i konsumatorëve po rritet dhe nuk duhet ta bllokojmë tani, duke mos qenë në gjendje të sugjerojmë shkurtime për klasën e mesme”.

Shkurtimi i detyruar i shpenzimeve do të ndikonte tek programe të rëndësishme të mbrojtjes dhe të brendshme, ndërsa pyetja që shtrohet për shkurtimin e taksave, është nëse afati i tyre mund të zgjatet deri pas skadimit të 31 dhjetorit.

XS
SM
MD
LG