Lidhje

SHBA: Kein kryeson garën e republikanëve, përballet me kritika të forta


SHBA: Kein kryeson garën e republikanëve, përballet me kritika të forta
SHBA: Kein kryeson garën e republikanëve, përballet me kritika të forta

Sipas sondazheve të fundit të opinionit publik, biznesmeni nga shteti i Xheorgjias, Herman Kein vazhdon të jetë befasia e garës së kandidatëve republikanë për president në Shtetet e Bashkuara. Por, zoti Kein, kohët e fundit është duke shpenzuar shumë energji për të hedhur poshtë pretendimet për ngacmim seksual gjatë kohës kur ai ishte drejtues i një shoqate tregëtare në vitet ‘90.

Zoti Kein vazhdon të udhëheqë në sondazhet për emërimin e Partisë Republikane.

Por fushata e tij po përballet këto ditë me akuza për ngacmime seksuale nga të paktën dy gra në fund të viteve 1990. Kjo është një humbje e madhe për një njeri të panjohur dhe pa përvojë politike.

Zoti Kein ishte drejtues i Shoqatës Kombëtare të Restoranteve në kohën kur u akuzua për këtë çështje.

“Unë kurrë nuk kam ngacmuar seksualisht njeri dhe ato akuza janë krejtësisht të pavërteta”.

Politico.com, faqe lajmesh në internet, thotë se dy gratë që e akuzuan zotit Kein, kishin arritur një marrëveshje me Shoqatën Kombëtare të Restoranteve, për t’i tërhequr akuzat në shkëmbim të një shpërblimi monetar.

Zoti Kein arriti të krijojë një epërsi ndaj kandidatëve tjerë republikanë duke përdorur një mënyrë të drejtëpërdrejt të të folurit dhe personalitetin e tij të këndshëm.

“Kriza në politikën e jashtme, kriza morale, dhe kriza më e madhe që kemi tani, sipas mendimit tim, është mungesa e një udhëheqje efektive në Shtëpinë e Bardhë”.

Peter Brown është anketues në Universitetin Quinnipiac.

“Njerëzit e pëlqejnë atë. Kjo është forca e tij më e madhe si kandidat. Mbi 60 për qind e votuesve e pëlqejnë atë. Kjo është gjë e mirë për një kandidat”.

Madje edhe rivalët e tij e pëlqejnë atë, përfshirë ish-kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Njut Gingriç:

“Këtu është Mitt Romney që ka shumë para dhe Herman Kein me këtë buzëqeshje të madhe. Buzëqeshje e madhe po fiton kundër parasë”.

Zoti Kein ka përfituar edhe për shkak se votuesit konservatorë dhe mbështetësit e Lëvizjes Tea Party kanë dyshime ndaj rivalit të tij kryesor, ish guvernatorit të Masaçusetsit, Mit Romni.

“Krahu konservator i Partisë Republikane nuk i beson Mit Romnit tani. Por nuk do të thotë që kjo nuk mund të ndryshojë. Kur të vijë puna për të votuar ata nuk do të thonë: “ai do të marrë emërimin dhe le ta mbështesim atë”.

Zoti Kein shpreson t’i bëjë ballë skandalit dhe të mbetet konkurrues deri në fillimin e procesit për emërimin e kandidatit republikan që do të fillojë në janar në shtetin e Ajovës.

XS
SM
MD
LG