Lidhje

SHBA kërkon zgjerimin e misionit vëzhgues në Siri

  • David Gollust

SHBA kërkon zgjerimin e misionit vëzhgues në Siri

SHBA kërkon zgjerimin e misionit vëzhgues në Siri

Shtetet e Bashkuara të martën përshëndetën fillimin e operacioneve të monitorimit të Lidhjes Arabe në Siri, por kërkuan zgjerimin e këtij misioni. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës David Gollust nga Departamenti i Shtetit, zyrtarët amerikanë akuzuan zyrtarët sirian për intensifikimin e dhunës kundër protestuesve para arritjes së vëzhguesve.

Zyrtarët këtu janë duke shprehur një ndjenjë lehtësimi pasi fillimit të punës së misionit të monitorimit. Por ata thonë se shpresojnë të shohin zgjerimin e misionit monitorues të Lidhjes Arabe, dhe ata akuzojnë autoritetet siriane se po përpiqen të zvogëlojnë opozitën para dislokimit të plotë të misionit vëzhgues.

Në një bisedë me gazetarët, zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Mark Toner tha se është e qartë se qeveria e presidentit sirian Bashar al-Asad ka shtuar dhunën kundër protestuesve ndërkohë që personeli i misionit vëzhgues të Lidhjes Arabe po përgatitet të hyjë në vend.
“Qeveria e Damaskut ka shfrytëzuar disa nga ditët e fundit si një mundësi për të intensifikuar sulmet e tyre në disa qytete dhe lagje në Homs, në Dera dhe qytete të tjera para dislokimit të vëzhguesve. Kjo ishte një situatë e tmerrshme pasi gjatë këtyre ditëve dhuna u intensifikua. Ne e dënojmë eskalimin e dhunës.”

Zoti Toner tha se këto veprime janë në kundërshtim me nismën e Lidhjes Arabe, me të cilën qeveria siriane ka rënë dakord në parim në fillim të muajit të kaluar, por e nënshkroi protokollin për të autorizuar hyrjen e vëzhguesve javën e kaluar.
Njoftimet e hershme të shtypit thanë se Lidhja Arabe ka parashikuar dërgimin e disa qindra vëzhguesve në terren. Por forca fillestare, e cila mbërriti në vend të hënën në orët e vona dhe të martën u dislokua në qytetin Homs, përbëhej nga vetëm rreth 50 vëzhguesë. Një tjetër grup prej rreth 100 vëzhguesish së shpejti do të dislokohet në vend.
Grupet e të drejtave të njeriut dhe analistët politikë akuzojnë Lidhjen Arabe se i është nënshtruar presionit të Sirisë për të zvogëluar numrin e vëzhguesve.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Mark Toner tha se Shtetet e Bashkuara duan të shohin prani ndërkombëtare të zgjeruar, por ai përgëzoi Lidhjen Arabe për nismën e saj.


“Lidhja Arabe ka realizuar një marrëveshje të madhe në një kohë shumë të shkurtër duke trajtuar shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare për atë që po ndodh atje. Fakti që tani ata kanë dërguar njerëz në terren duke siguruar vëzhgimin e situatës është një hap i parë i rëndësishëm, por natyrisht ne duam të shohim më shumë.”


Mark Toner tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrë një raport fillestar nga Lidhja Arabe mbi rezultatet e punës së vëzhguesve, edhe pse njoftimet e agjencive të lajmeve thonë se ka pasur të shtëna me armë zjarri ndërkohë që vëzhguesit u takuan me popullatën civile në Homs. Ai tha se ambasadori amerikan në Damask, Robert Ford, ka takuar përfaqësues të Lidhjes Arabe në kryeqytetin sirian, por se ai nuk kishte folur ende me shefin e vëzhguesve, gjeneralin sudanez Mohammed al-Dabi.

XS
SM
MD
LG