Lidhje

Takim i rrallë i Sekretarit Kerry me ministrin e Jashtëm të Iranit


Sekretari i Shtetit John Kerry zhvilloi një takim të veçantë me ministrin e Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif gjatë qëndrimit të tij në Munih për Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë. Ata biseduan lidhur me programin e debatueshëm bërthamor të Iranit.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se zoti Kerry i përsëriti zotit Zarif rëndësinë e negocimit në mirëbesim nga të dy palët e mirë dhe që Irani të veprojë bazuar tek Plani i Përbashkët i Veprimit që u formulua në takimin ndërkombëtar të nëntorit. Ai po ashtu e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të venë në zbatim sanksionet ekzistuese.

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, tha se takimi i drejtpërdrejtë mes zotit Kerry dhe zotit Zarif është “jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ndërsa komuniteti ndërkombëtar përgatitet për bisedime të mëtejshme të gjithanëshme me Iranin.

Fuqitë botërore kanë në plan të fillojnë një raund të ri bisedimesh me Iranin në Vienë, më 18 shkurt, në përpjekje për të arritur një marrëveshje gjithpërfshirëse me Teheranin, lidhur me programin e tij bërthamor.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Iranin se po përpiqet të ndërtojë një armë bërthamore, ndërkohë që Teherani këmbëngul se programi bërthamor i vendit ka vetëm synime paqësore për përdorim civil.

Irani arriti një marrëveshje historike paraprake me gjashtë fuqitë botërore në nëntor që të ndalë të paktën përkohësisht programin e debatueshëm bërthmor, me kushtin që të lehtësohen sanksionet ekonomike ndaj vendit. Marrëveshja gjashtë mujore që u arrit në muajin nëntor u jep negociatorëve kohë për të hartuar një zgjidhje më të gjithanëshme për përplasjen dhjetë vjeçare të Teheranit me Perëndimin lidhur me programin e tij bërthamor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG