Lidhje

SHBA, ndihma shtesë për të zhvendosurit sirianë


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry njoftoi rreth 500 milionë dollarë ndihma shtesë për njerëzit e prekur nga lufta civile në Siri. Zoti Kerry e bëri njoftimin sot në Turqi, ku ai shkoi në kuadër të përpjekjeve për të siguruar mbështetje ndërkombëtare për luftën kundër ekstremistëve të Shtet Islamik në Irak dhe Siri.

Më shumë se gjysma e paketës së ndihmës prej 500 milionë dollarësh do të përdoret për të ndihmuar mbi tre milionë refugjatët sirianë që kanë shkuar në vendet fqinje. Shumica e pjesës tjetër të fondeve do të përqëndrohet tek civilët e zhvendosur brenda Sirisë.

Kombet e Bashkuara thotë se gati gjysma e popullsisë së Sirisë është detyruar të largohet nga lufta civile, e cila është përkeqësuar ndërsa ekstremistët e Shtetit Islamik morën më tepër territor.

Sekretari amerikan i Shtetit Kerry ndodhet në një udhëtim një-javor për të ndihmuar në ndërtimin e një koalicioni global për të luftuar grupin ekstremist, që ka tronditur botën me një fushatë brutale prerje kokash dhe vrasjesh sektare.

Gjatë bisedimeve të djeshme me zotin Kerry, në Arabinë Saudite, Turqia nuk pranoi të mbështesë një plan gjithëpërfshirës të udhëhequr nga SHBA-ja për të mundur grupin militant sunit. Turqia, e cila ka një kufi 900 kilometra të gjatë me Sirinë, ka hezituar të marrë një rol aktiv në koalicionin ndërkombëtar. Luftëtarët Shtetit Islamik aktualisht mbajnë 49 shtetas turq, duke përfshirë disa diplomatë dhe familjet e tyre, të cilët u rrëmbyen nga një konsullatë në muajin qershor.

Ndërkohë dhjetë vende arabe u bashkuan me aleancën, duke premtuar të ndihmojnë SHBA-në për të shkatërruar Shtetin Islamik kudo që të jetë, duke përfshirë Irakun dhe Sirinë.

Në një deklaratë thuhet se koalicioni ndërkombëtar do të ndalojë shtimin e luftëtarëve të huaj, do të bllokojë fondet drejt ISIS-it dhe do të sigurojë ndihmë për njerëzit e terrorizuar nga grupi. Kur të jetë e përshtatshme, thuhet në deklaratë, ata do të marrin pjesë në "aspektet e shumta të një fushate të koordinuar ushtarake."

Autoritetet amerikane të zbulimit thanë dje se Shteti Islamik është më i fuqishëm nga sa ata kishin vlerësuar fillimisht. Agjencia Qendrore e Zbulimit, CIA, tha se grupi ka rreth 20 deri në 31 mijë luftëtarë në terren, në Irak dhe Siri. Ky vlerësim është shumë më e lartë se ai i mëparshëm prej 10 mijë luftëtarësh.

Presidenti amerikan Barak Obama zbuloi këtë javë planin e tij afatgjatë për të dëmtuar dhe për të shkatërruar grupin ekstremist. Ky plan përfshin vazhdimin e sulmeve ajrore amerikane në Irak, si dhe zgjerimin e mundshëm të fushatës ushtarake në Siri.

XS
SM
MD
LG