Lidhje

SHBA dhe Kina diskutojnë mbi strategjinë e marrëdhënieve


SHBA dhe Kina diskutojnë mbi strategjinë e marrëdhënieve
SHBA dhe Kina diskutojnë mbi strategjinë e marrëdhënieve

Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të zhvillojnë javën e ardhëshme në Uashington bisedime dyditëshe të nivelit të lartë që do të përqendrohen në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Zyrtarët amerikanë shpresojnë se ky takim i përvitshëm, ose Dialogu Strategjik dhe Ekonomik, siç njihet ndryshe, do të ndihmojë dy ekonomitë më të mëdha të botës të diskutojnë mbi një numër çështjesh të debatueshme, si vlera e monedhës kineze, të drejtat e pronësisë intelektuale dhe mundësitë e kompanive amerikane për të depërtuar në tregun kinez.

Prej kohësh, kompanitë e huaja e kanë përqendruar vemendjen te Kina, si një vend joshës për prodhim dhe shitje, me fuqinë e saj të lirë punëtore dhe numrin e pafund të konsumatorëve.

Por pirateria e filmave dhe e muzikës si dhe shkelje të tjera të pronësisë intelektuale, janë një një problem i madh për kompanitë e huaja, siç është natyrisht edhe monedha kineze juani, që nuk pasqyron vlerën e saj të vërtetë të tregut.

Këto çështje do të jenë temë diskutimi mes zyrtarëve amerikanë dhe kinezë gjatë takimit të tyre në Uashington të hënën dhe të martën.

Sekretari amerikan i Thesarit, Timothi Gajtnër:

"Para dy vjetësh, Kina propozoi disa politika të cilat po të ishin zbatuar, do t’i kishin dëmtuar më tej interesat e kompanive të huaja. Në muajin janar të këtij viti, Presidenti Hu i propozoi Presidentit Obama disa ndryshime mjaft premtuese. Jo vetëm në mbrojtjen e pronës intelektuale por edhe përsa i përket zgjerimit të mundësive të kompanive amerikane në prokurimet qeveritare kineze dhe në fusha të tjera."

Autoritetet kineze duket se po i shtojnë përpjekjet për të marrë masa kundër piraterisë. Ato kanë filluar një nismë pilot për të garantuar se ndërmarrjet shtetërore do të përdorin vetëm programe kompjuterike të ligjshme. Ndërkohë, vlera e juanit po rritet gradualisht.

"Ne dëshirojmë që juani të rritet më shpejt në vlerë. Mendoj se kjo është e rëndësishme për Kinën. Dëgjojmë se tani zyrtarët kinezë po shprehen më hapur në publik për faktin që kjo ka rëndësi për të frenuar rrezikun e inflacionit si dhe euforinë që ka shkaktuar rritja e çmimeve në tregun imobiliar."

Prej vitesh, ekonomia kineze është mbështetur tek eksporti prandaj zyrtarët amerikanë dhe kinezë po përpiqen ta ndryshojnë këtë prirje, pra që konsumatorët kinezë të blejnë më tepër mallra. Zyrtarët amerikanë dëshirojnë gjithashtu që Kina të mos favorizojë bizneset vendase dhe që bankat kineze të zgjerojnë praktikat e tyre të kreditimit.

"Sot për sot, një ndërmarrje shtetërore në Kinë është e favorizuar për sa i përket kreditit dhe kapitaleve me kosto të ulët, pra ndryshe nga kompanitë e tjera. Kjo i ndryshon rregullat e lojës në favor të kompanive kineze dhe ka efekt material mbi gjendjen ekonomike."

Pekini me sa duket do t’i ushtrojë trysni Uashingtonit për më tepër akses në tregun amerikan dhe që Shtetet e Bashkuara t’u japin fund kufizimeve ndaj eksporteve të teknologjisë së lartë, sidomos asaj me përdorime ushtarake.

Pritet ndërkohë që zyrtarët amerikanë të ngrenë në takim çështje të të drejtave të njeriut. Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton:

"Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga raportet se, që nga muaji shkurt, dhjetra njerëz, duke përfshirë avokatë, shkrimtarë, artistë, intelektualë dhe veprimtarë janë ndaluar dhe arrestuar në mënyrë arbitrare."

Zyrtarët amerikanë thonë se takime të tilla janë të rëndësishme sepse ndihmojnë të përcaktohen drejtimet e ardhëshme të marrëdhënieve amerikano-kineze, të cilat po bëhen më të rëndësishmet e botës. Por analistët thonë se nuk presin ndonjë arritje për t’u shënuar nga takimi i radhës në Uashington.

XS
SM
MD
LG