Lidhje

Presidentët Obama dhe Xi përfundojnë takimin


Takimi në Kaliforni shihet si një përpjekje për një fillim të ri në marrëdhëniet e ndërlikuara mes dy vendeve

Drejtuesit e dy ekonomive më të mëdha të botës – Shtetet e Bashkuara dhe Kina – mbyllën një takim dy-ditor në Kaliforni si përpjekje për një fillim të ri në marrëdhëniet e komplikuara dhe ndonjëherë të tensionuara mes tyre.

Presidenti amerikan Barack Obama dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, i zhvilluan bisedimet jozyrtare në afërsi të Los Anxhelosit. Ky ishte takimi i parë mes dy udhëheqësve që kur zoti Xi mori detyrën. Ata diskutuan mbi çështjet kibernetike dhe Korenë e Veriut.

Pas fillimit të sesionit të parë të bisedimeve mes dy presidentëve, zoti Obama e siguroi zotin Xi se Shtetet e Bashkuara e mirëpresin rritjen paqësore të Kinës si një fuqi botërore.

“Është në interes të Shteteve të Bashkuara që Kina të vazhdoj në rrugën e suksesit, sepse ne besojmë se nga një Kinë paqësore, të qëndrueshme dhe të begatë nuk përfitojnë vetëm kinezët, por përfiton edhe bota dhe Shtetet e Bashkuara”.

Presidenti Obama përmendi disa fusha në të cilat Uashingtoni dhe Pekini nuk janë dakord, përfshirë akuzat e ndërsjella për proteksionizëm tregtar dhe vjedhje kibernetike.

“Shtetet e Bashkuara duan një ekonomi ndërkombëtare dhe regull ekonomik ndërkombëtar, ku të gjitha vendet respektojnë të njejtat parime, ku tregtia të jetë e lirë dhe e ndershme, dhe ku Shtetet e Bashkuara dhe Kina të punojnë së bashku për të trajtuar çështjet si siguria kibernetike dhe mbrojtja e pronës intelektuale”.

Presidenti përmendi përpjekjet për të frenuar programin e Koresë së Veriut për ndërtimin e raketave bërthamor si një nga shumë fushat e bashkëpunimit kinezo-amerikan.

Presidenti Xi tha se marrëdhëniet Kinë-SHBA kanë arritur në një pikë të re historike të fillimit.

Ai tha se beson se Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund të ndërtojnë një model të ri të marrëdhënieve mes vendeve të mëdha.
XS
SM
MD
LG