Lidhje

SHBA-ja dhe Kina konfirmojnë bashkëpunimin në disa fusha


Pas gati tre orë bisedimesh ndërmjet Presidentit Obama dhe homologut kinez Xi Xinping, Shtetet e Bashkuara dhe Kina u zotuan të bashkëpunojnë për një sërë çështjesh të sigurisë, tregtisë dhe shëndetësisë.

Takimi u rrezikua pa filluar ende për shkak të incidenteve të pazakonta ndërmjet stafit të Shtëpisë së Bardhë, gazetarëve amerikanë dhe zyrtarëve kinezë të sigurisë gjatë momenteve të mbërritjes së delegacionit amerikan në Hangzhou.

Presidenti Obama u tha sot gazetarëve se nuk “do t’i mëshonte shumë domethënies” së këtij incidenti. Ai tha se gjithnjë ka përplasje kur Shtëpia e Bardhë negocion qasjen që do t’i jepet shtypit amerikan ndaj Presidentit dhe udhëheqësve të tjerë të huaj. “Ne nuk i lëmë pas vlerat dhe idealet tona”, kur nisemi për udhëtime, u shpreh zoti Obama.

Pasi avioni Air Force One u ul në Hangzhou, zyrtarët kinezë filluan t’u bërtasin anëtarëve të stafit të Shtëpisë së Bardhë për prezencën në pistë trupës së gazetarëve amerikanë. Madje një zyrtar pati një përballje të fortë me këshilltaren e sigurisës kombëtare, Susan Rice.

Më vonë, në godinën Westlake Statehouse, ku planifikohej takimi ndërmjet të dy udhëheqësve, zyrtarët kinezë dhe amerikanë debatuan në gjuhën kineze për numrin e gazetarëve dhe stafit që do të lejohej brenda. Madje edhe një zyrtar kinez arriti të kundërshtojë zyrtarët kinezë të sigurisë për trajtimin që po u bëhej amerikanëve. Megjithë këto, Presidentët Obama dhe Xi biseduan për rreth tre orë e gjysëm dhe më tej bënë edhe një shëtitje në kopsht.

Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë njoftoi se udhëheqësit ranë dakort të bashkëpunojnë për të ndërtuar kapacitete paqeruajtëse në vendet partnere të botës së tretë, ku Uashingtoni do të ofrojë mbështetje logjistike inxhinierike dhe ushtarake për dërgimin e shpejtë të njësive të tilla. Kina ka njoftuar se do të bëjë gati brenda 60 ditësh një pjesë të forcave paqeruajtëse prej 8 mijë vetash që ajo ka premtuar.

Presidentët gjithashtu u zotuan të shkëmbejnë informacion për të dyshuarit për terrorizëm, përfshirë të dhënat e tyre biografike. Në deklaratë thuhet se të dyja palët do të zbatojnë një sërë masash të sigurisë kibernetike për të parandaluar hakerët dhe vjedhjen e pronësisë intelektuale.

Dy udhëheqësit diskutuan rreth bashkëpunimit ushtarak “në fusha të interesit të përbashkët” dhe rreth masave “për të forcuar besimin e ndërsjelltë, sigurinë operacionale dhe për të ulur rreziqet e mundshme ndërmjet forcave të armatosura të të dyja vendeve”. Palët gjithashtu premtuan të zbatojnë masat e ndërtimit të besimit për të cilat u ra dakort në nëntor 2014.

Shtëpia e Bardhë thotë se bisedimet konfirmuan edhe rëndësinë e luftës kundër trafikut të fildishit, që sipas ekspertëve rrezikon të shfarosë popullsinë e elefantëve në Afrikë. Kina e shpalli këtë vit të paligjshëm importin e fildishit, dhe tashmë do të publikojë një plan me afate kohore për të ndaluar tregtinë e fildishit deri në fund të këtij viti.

Të dyja palët rikonfirmuan edhe angazhime të tyre të mëparshme me vende të tjera, për të reduktuar peshkimin e parregullt tregtar në detërat e Oqeanit Arktik. Në deklaratë, palët zotohen të mbështesin projekte shkencore me interes të ndërsjelltë në Arktik dhe në Antarktikë.

XS
SM
MD
LG