Lidhje

SHBA, Kinë, Indi - perspektiva e marrëdhënieve strategjike mes tyre


India dhe Kina nënshkruan kohët e fundit protokollet për trajtimin e tensioneve në zonat e tyre të debatueshme. Të dy vendet thonë se do të mbajnë takime urgjente dhe videokonferenca për të zbutur tensionet e ndryshme. Ndërkohë, diplomacia e Indisë po fokusohet përherë e më tepër tek Shtetet e Bashkuara dhe Japonia, siç njofton nga Nju Delhi korrespondenti i Zërit të Amerikës Kurt Achin.

Dalja e Kinës si një fuqi botërore i dha një shtytje të rëndësishme bisedimeve diplomatike kohët e fundit në kryeqytetin indian. Analistë të njohur të çështjeve globale u takuan për të gjetur mënyra për vendosjen e një partneriteti më të ngushtë mes Shteteve të Bashkuara, Indisë dhe Japonisë.

Richard Armitage ka qenë sekretar i shtetit në administratën e Presidentit Xhorxh Bush. Ai thotë se rritja e rëndësisë strategjike të Kinës është e pashmangshme, por ajo mund të ndikohet edhe nga fqinjët e saj.

“Rritja Kinës si një vend paqësor mund të realizohet më mirë kur zhvillohet në një rajon me demokraci të fuqishme dhe liberale.”

Tomohiko Taniguchi ka qenë diplomat dhe professor në universitetet Keio dhe Meiji të Tokios. Ai thotë se marrëdhëniet me Kinën janë më të lehta, kur demokracitë flasin së bashku me një zë.

“Ekziston përherë e më tepër mendimi i përbashkët, se para se të flasësh me kinezët, është gjithnjë më mirë të konsultohesh me njerëz që mendojnë afërsisht si ata. Sepse shumë nga shqetësimet që kanë amerikanët në raport me Kinën, janë të ngjashme me ato të japonezëve dhe gjithmë e më tepër me ato të indianëve.”

Në Indi, pak presin që lufta brutale, afatshkurtër e vitit 1962 mes dy gjigandëve të përsëritet. Por mosmarrëveshjet për kufirin mes Kinës dhe Indisë mbeten shqetësim. Kina ka pretendime për një shtet të tërë indian, Arunachal Pradesh, duke e quajtur atë “Tibeti i Jugut”.

Pekini po ashtu i ka bërë paralajmërime të ashpëra Indisë dhe vendeve të tjera lidhur me eksplorimin e energjisë në Detin e Kinës së Jugut, për të cilin Pekini dhe vende të tjera pretendojnë se u përket atyre.

Ish këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare Michael Green aktualisht është drejtor për Japoninë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington. Ai thotë se ta trajtosh Kinën si një vend ndaj të cilit duhet ndjekur politika e frenimit, është një mentalitet i vjetër. Por ai shton se demokracitë më të mëdha të botës duhet t’i dërgojnë Kinës një mesazh të qartë.

Studjuesit indianë po analizojnë rritjen si një superfuqi ekonomike të Indisë dhe afësinë e saj në rritje për t’u vetëmbrojtur dhe për të projektuar fuqi në skenën botërore. Hemrant Krishan Singh ka qenë ambassador i Indisë në Japoni. Ai thotë se India duhet t’i thjeshtojë rregullat lidhur me uzinat e huaja të prodhimit të armatimeve në vend dhe të përpiqet për një marrëdhënie të ngushtë mbrojtjeje që i ngjan asaj mes Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Në se je i aftë për të blerë një avion të prodhuar në Seatle, duhet të lejosh që kompania Boing ta prodhojë atë në Indi, ose të paktën disa pjesë të tyre. Kjo është e natyrshme dhe logjike.”

Kina bëri të njohur se buxheti i ri i vendit për herë të parë do ta kalojë shifrën e 100 miliardë dollarëve, shumë më tepër se India, që e ka vetëm 36 miliardë dollarë.

XS
SM
MD
LG