Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Kinë gjatë 2014-s


Shtetet e Bashkuara po nxisin hartimin e një kodi sjelljeje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve territoriale në Detin e Kinës së Jugut ndërkohë që po punon për përmirësimin e marrëdhënieve me Pekinin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns, bën një përmbledhje të gati një viti të politikës amerikane ndaj Kinës, që nga çështja e Hong Kongut dhe deri tek ndryshimet klimatike.

Pas më shumë se 2 muajsh protestash në favor të demokracisë në Hong Kong, Uashingtoni vazhdon të bëjë thirrje për negociata rreth mënyrës se si miratohen kandidatët Hong Kongut nga Kina. Kina po refuzon çdo lloj ndërhyrjeje të jashtme në çështjen e votimit në Hong Kong, duke i lënë kështu pak hapësirë manovrimi administratës Obama, thotë drejtorja për Kinën e organizatës Human Rights Watch, Sophie Richardson.

“Mendoj se SHBA vazhdon të mos jetë konsekuente rreth çështjeve të të drejtave politike dhe demokracisë në Hong Kong dhe Kinë, krahasuar me llojin e mbështetjes që jep për të njëjtat çështje në vende të tjera të botës. Dhe të qenit konsekuent ka shumë rëndësi kur ke të bësh me Pekinin.”

Në detin e Kinës Jugore, ku disa vende kanë pretendime territoriale, përpjekjet e SHBA-së për të vendosur një kod sjelljeje janë bllokuar nga udhëheqësit kinezë. Pala kineze, thotë thotë Michael Austin, një analist i Institutit “Enterprise” preferon të merret individualisht me rivalët në rajon.

“Është kurthi perfekt për të vazhduar pafundësisht negociata me vende si Korea e Veriut ose Irani, të cilët nuk i duan normat dhe për të mos e arritur kështu asnjëherë zgjidhjen. Shikoni; nëse Kina do të donte një kod sjelljeje, do ta kishte bërë tashmë.”

Shtetet e Bashkuara mund të ndikojnë më shumë tek Kina nëpërmjet pozitës së tyre si tregu më i madh në botë për mallra konsumi, thotë senatori amerikan Sherrod Brown.

“Kina kërkon qasje tek tregjet, teknologjia dhe universitetet tona. Pesha e qeverisë së SHBA dhe e konsumatorëve tanë mund të përdoret për të arritur ndryshim të vërtetë në Kinë.”

Zoti Brown sidoqoftë shikon një interesim në rënie në Uashington për sa i përket angazhimit ndaj Kinës.

“Mendoj se ekonomia jonë është e tillë, dhe klima politike kaq polarizuese, saqë Kinës nuk i kishtohet vëmendje siç i kushtohet p.sh. Lindjes së Mesme.”

Analisti i Institutit Cato, Justin Lago, thotë se kjo është pjesërisht pasi çështjet e Azisë në Uashington, lihen në hije prej atyre të Lindjes së Mesme.

“Vendet aleate në Azinë Lindore, duhet të kultivojnë idenë se kjo është një gjë e rëndësishme për t’u bërë. Por, për ndonjë arsye jo të qartë për mua, ata nuk janë në gjendje të kundërpeshojnë grupimet si ato të vendeve të Gjirit Persik, apo taborret e ekspertëve të Lindjes së Mesme në Uashington, për fokusimin e duhur të strategjisë amerikane.”

Këtë vit, presidentët Obama dhe Xi Jinping ranë dakort në lidhje me një plan ambicioz për uljen e prodhimit të gazit në atmosferë. Gjatë kësaj marrëdhënieje me Pekinin, Presidenti Obama u shpreh se po e inkurajon Pekinin të respektojë të njëjtat rregulla si kombet e tjera, “qoftë në tregëti apo në çështjen e detrave”. Ai tha se stabiliteti në Azi “nuk duhet të bazohet në zona influence, apo dominimi”, por tek aleancat e sigurisë së ndërsjelltë.

XS
SM
MD
LG