Lidhje

SHBA: Komisioni për shkurtimin e borxhit rekomandon kursime drastike


SHBA: Komisioni për shkurtimin e borxhit rekomandon kursime drastike
SHBA: Komisioni për shkurtimin e borxhit rekomandon kursime drastike

Një komision i ngritur nga Shtëpia e Bardhë për të gjetur rrugët e shkurtimit të borxhit të madh të vendit, bëri thirrje për ndryshime rrënjësore, të cilat nëse vihen në zbatim do të ndikonin mbi të gjithë amerikanët për dekada me radhë. Komisioni rekomandon rritjen e moshës së pensionit dhe eliminimin e shkurtimeve të taksave për qëllime të ndryshme si pjesë e planit për uljen e borxhit i cili sa vjen e rritet. Drejtuesit e komisionit thonë se pa e bërë këtë vendi do të përballet me pasoja të rënda.

Kriza financiare që po ndodh në Evropë mund të prekë Shtetet e Bashkuara nëqoftëse amerikanët nuk veprojnë që tani. Ky është paralajmërimi që vjen nga drejtuesit e komisionit të posaçëm për frenimin e borxhit, i cili aktualisht vlerësohet në rreth 14 trilion dollarë. Ish senatori republikan Alan Simpson është bashkëkryetar i komisionit.

"I kemi parë shifrat dhe nuk dimë shumë për Greqinë, Irlandën, Spanjën dhe Portugalinë. Por ne dimë se po të bvazhdojmë kështu, diçka e keqe do të ndodhë."

Raporti i komisionit, i titulluar “Momenti i së vërtetës,” propozon shkurtimin e shpenzimeve ushtarake në masën 100 miliard dollarë dhe mbylljen e një të tretës së bazave ushtarake amerikane jashtë. Propozon gjithashtu dyfishimin e taksës mbi benzinën, pakësimin e shpenzimeve shëndetësore për të moshuarit dhe rritjen e moshës së pensionit.
Nëse zbatohet, plani do të shkurtonte defiçitin 4 trilion dollarë deri në vitin 2014, duke stabilizuar borxhin.
Disa kongresmenë demokratë thonë se do të votojnë kundër këtyre rekomandimeve, të cilat, sipas tyre, do të preknin njerëzit me të ardhura të ulta.

Nëse nuk veprohet, huadhënës ndërkombëtarë si Kina do të fillonin të kërkonin nga qeveria amerikane pagesa me interes më të lartë, gjë që do ta rëndonte akoma më tej borxhin. Zyra buxhetore e Kongresit vlerëson se borxhi aktual i qeverisë amerikane kap 60 përqind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Për krahasim, raporti i borxhit të Greqisë me prodhimin e përgjithshëm kombëtar të saj pas paketës evropiane të shpëtimit pritet të arrijë në 140 përqind në vitin 2011.

XS
SM
MD
LG