Lidhje

SHBA: Komisioni për uljen e deficitit federal dështon


SHBA: Komisioni për uljen e deficitit federal dështon
SHBA: Komisioni për uljen e deficitit federal dështon

Një komision i posaçëm i Kongresit amerikan dështoi në misionin që iu ngarkua për të hartuar një plan ndërpartiak për uljen e deficitit federal me të paktën 1.2 trilion dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhshëm. Negociatat disa mujore nuk arritën të sheshonin mosmarrveshjet ideologjike partiake mbi mënyrat për të përmirësuar gjendjen financiare të Shteteve të Bashkuara.

Një super dështim i super komisionit për uljen e deficitit. Në fund të fundit, republikanët refuzuan të mbështesnin ngritjen e taksave, që kërkonin demokratët, nga ana e tyre demokratët refuzuan të shqyrtonin shkurtimin e shpenzimeve qeveritare, të kërkuara nga republikanët.

Me anë të një deklarate, superkomisioni tha: “Sot ne kemi arritur në përfundimin se nuk do të jetë e mundur të arrijmë një marrëveshje ndërpartiake … ne i japim fund këtij procesi të bashkuar në besimin tonë se kriza financiare e vendit duhet zgjidhur”.

Vetëm para një jave, ligjvënësit shfaqën shpresë dhe vendosmëri se super komisioni do të përmbushte ose edhe tejkalonte objektivin për uljen e deficitit.

“Anëtarët e partisë time ende mendojnë se mund të arrijnë një marrëveshje”, tha udhëheqësi i demokratëve në Senat, z. Heri Rid.

“Kjo nuk është shkencë. Ata mund ta arrijnë marrëveshjen”, tha ligjvënësi republikan, Majk Simpson.

“Dështimi nuk është alternativë”, tha senatori Lamar Aleksandër.

Por dështimi tani është realitet dhe do të pasohet automatikisht me shkurtime të mëdha të shpenzimeve të programeve të brendshme dhe atyre të mbrojtjes, duke filluar nga viti i ardhshëm. Kujdesi shëndetsor i financuar nga qeveria dhe kontraktorët në ushtri do të goditen më rëndë.

Reagimi ishte i shpejtë. Presidenti Barak Obama premtoi se do t’i vinte veton çdo përpjekjeje të Kongresit për të shmangur shkurtimet buxhetore të parashikuara me ligj në rast dështimi të superkomisionit.

“E vetmja mënyrë që shkurtimet të mos hyjnë në fuqi është që Kongresi të arrijë një marrëveshje për uljen e deficitit me të paktën 1.2 trilion dollarë. Kjo është pikërisht ajo që Kongresi duhet të bëjë”.

Bashkëkryetarja e komisionit të presidentit për reduktimin e borxhit, Alice Rivlin, e përmblodhi përfundimin e punës së super komisionit si “një shans i madh i humbur".

“Ajo që ata duhet të bënin dhe që i kishin kompetencat për të bërë ishte që të vinin në rrugën e duhur buxhetin federal. Mendoj se pasojat janë shumë serioze”.

Tregjet amerikane dhe ato globale ranë dje ndjeshëm, ndërsa pritej njoftimi për dështimin e super komisionit. Një anketë e fundit e opinionit tregon se mbështetja e publikut për punën e Kongresit ka arritur në nivelin më ulët në histori: vetëm 9 përqind shprehen se Kongresi po e kryen si duhet punën e tij.

XS
SM
MD
LG