Lidhje

SHBA konfirmon dëshirën e disidentit Chen për t'u larguar nga Kina


Zyrtarët amerikanë thanë se kanë konfirmuar se aktivisti i verbër kinez Chen Guangcheng do të donte të largohej nga Kina me familjen e tij, një ditë pasi disidenti u largua nga ambasada amerikane ku kishte kërkuar strehim gati një javë pas largimit nga arresti shtëpiak.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Victoria Nuland tha sot se zyrtarët amerikanë po diskutojnë mundësitë me zotin Chen, i cili është në një spital të Pekinit nën mbikëqyrjen kineze. Chen u largua nga ambasada amerikane të mërkurën sipas një marrëveshje të arritur me qeverinë kineze që u bën thirrje autoriteteve të garantojnë sigurinë e tij.

Por ai u tha gazetarëve sot se ai dhe familja e tij janë kërcënuar dhe se nuk beson se Pekini do ta mbajë premtimin për t'i mbrojtur ata. Ai gjithashtu shprehu shqetësim se zyrtarët amerikanë që e shoqëruan në spital nuk ishin me të në ndërtesë.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se do të bëjnë ç’është e mundur të ndihmojnë zotin Chen, por kanë mohuar njoftimet se ai ishte vënë nën presion të largohej nga ambasada. Ambasadori Gary Locke tha se zoti Chen "mezi priste dhe ishte entuziastë" të largohej nga ambasada dhe të ribashkohej me familjen e tij.

Mosmarrëveshja mbi çështjen Chen ka kërcënuar të errësojë bisedimet e tanishme në Pekin mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre kinezë. Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton nuk e përmendi në fjalën e saj çështjen Chen gjatë hapjes së Dialogut Strategjik të Sigurisë, i cili filloi sot. Por ajo i bëri thirrje Kinës të mbrojë të drejtat e njeriut.

XS
SM
MD
LG