Lidhje

Qeveria federale ende nën rrezikun e mbylljes

  • Michael Bowman

Afro një javë pas kanosjes së mbyljes për qeverinë federale, ende nuk ka një formulë të qartë për të zgjatur fondet për funksionimin e qeverisë në një kohë që Kongresi mbetet i përçarë në vija partiake lidhur me ligjin për kujdesin shëndetësor.

Javën e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët votoi për të mbajtur në punë qeverinë federale, me kusht që të anuloheshin fondet për programin e kujdesit shëndetësor. Tani beteja është zhvendosur në Senat, ku republikani Ted Cruz nga Teksasi është zotuar të luftojë me të gjitha mënyrat që të miratohet varianti i Dhomës së Përfaqësuesve.

"Mendoj se republikanët në Senat do të qëndrojnë përkrah Kryetarit dhe republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe do të dëgjojnë thirrjet e amerikanëve për të ndalur këtë katastrofë që përfaqëson programi për kujdesin shëndetësor”.

Zoti Cruz i bëri komentet në programin Fox News Sunday.

Demokratët, të cilët kontrollojnë Senatin, thonë se nuk do të miratojnë një projekt-ligj që nuk përfshin fonde për ligjin e kujdesit shëndetësor. Senatorja Amy Klobuchar tha në emisionin Meet the Press të rrjetit NBC se republikanët po rrezikojnë ekonominë e vendit në përpjekje për të arritur përfitime të ngushta politike:

"E fundit gjë që presin amerikanët prej nesh tani janë lojërat politike, ku përfshihen kërcënimet për mbylljen e qeverisë apo rreziku për të mos paguar këstet e borxhit”.

Disa senatorë republikanë që kundërshtojnë zbatimin e programit të administratës për kujdesin shëndetësor shprehen se do të jetë e pamundur të imponojnë vullnetin e tyre. Senatori Tom Coburn foli për emisionin Face the Nation të rrjetit CBS.

"Nuk do të kemi mundësinë të ndalim plotësisht dhe të anulojmë ligjin për kujdesin shëndetësor. Do të na pëlqente ta arrinim. Por taktikat dhe strategjitë duhet të bazohen tek realiteti. Aktualisht nuk kemi fuqinë politike për ta arritur këtë”.

Ligji për kujdesin shëndetësor synon të rrisë numrin e amerikanëve që kanë sigurime shëndetësore. Disa dispozita e ligjit hyjnë në fuqi muajin e ardhshëm.

Anketat tregojnë se shumica e amerikanëve shprehen negativisht për ligjin për kujdesin shëndetësor, por një numër edhe më i madh amerikanësh kundërshtojnë mbylljen e qeverisë si reagim ndaj këtij ligji. Nëse Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati nuk bien dakord për t’i dhënë administratës autoritetin për shpenzime, më 1 tetor hyn në fuqi një mbyllje e kufizuar e qeverisë federale.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG