Lidhje

Kongresi ende larg marrëveshjes për buxhetin


Ndërkohë që mbyllja e qeverisë hyn në ditën e gjashtë, Presidenti Obama dhe republikanët në Kongres po shkëmbejnë akuza, duke ritheksuar kërkesat, megjithëse nuk duken pranë arritjes së një zgjidhjeje për të rifilluar aktivitetin qeveritar. Demokratët dhe republikanët nuk kanë mospajtime vetëm për mënyrat për të zgjidhur ngërçin për buxhetin, por secila palë beson se do të arrijë sukses po iu përmbajt me forcë qëndrimit të vet, duke e bërë të pamundur kapërcimin e situatës.

Në fjalimin e përjavshëm dje në radio, Presidenti Obama kritikoi përsëri republikanët për parashtrimin e kushteve politike për miratimin e projekt-ligjit për buxhetin dhe rritjen e tavanit të borxhit:

"Nuk do të paguaj shpërblim në shkëmbim për rihapjen e qeverisë. As nuk do të paguaj shpërblim për rritjen e tavanit të borxhit”.

Po dje, ligjvënësi republikan Eric Cantor kritikoi kundërshtimin e presidentit për të negociuar:

"Ky nuk është qëndrim udhëheqës. Pikërisht mungesa e vullnetit për t’u ulur në negociata e ka sjellë këtë mbyllje të qeverisë”.

Ajo që e ndërlikon edhe më tej konfliktin është fakti se shumë ligjvënës demokratë dhe republikanë duket se besojnë se qëndrimi i tyre do të triumfojë nëse ruajnë unitetin brenda partisë dhe vazhdojnë rezistencën. Anketat tregojnë se amerikanët fajësojnë republikanët më së shumti për mbylljen e qeverisë. Ligjvënësi demokrat Jim Moran beson se kjo strategji do t’i dëmtojë:

"Do t’u dalin llogaritjet keq, pasi mendoj se shumica e amerikanëve duan që qeveria të jetë në funksionim”.

Demokratët shpresojnë se irritimi publik do t’i detyrojë republikanët e moderuar të bashkohen me demokratët për të miratuar një ligj të pastër vetëm për buxhetin. Deri në atë moment, ligjvënësi Moran thotë se demokratët duhet të qëndrojnë të fortë:

"Mendoj se do të ishte gabim të kapitullonim. Asnjë nga kërkesat e republikanëve nuk është e pranueshme”.

Republikanët po përpiqen të anulojnë ligjin për kujdesin shëndetësor dhe të reduktojnë qeverinë në përgjithësi. Shumë ligjvënës republikanë besojnë se mund ta arrijnë këtë nëse këmbëngulin në qëndrimin e tyre. Ligjvënësi republikan Doug Lamborn thotë se nuk beson se refuzimi i Presidentit Obama për t’u ulur në negociata do të vazhdojë gjatë:

"Zoti Obama po i përmbahet atij qëndrimi sot, por nuk mendoj se mund të vazhdojë gjatë në këtë mënyrë”.

Për momentin, Presidenti Obama dhe demokratët në Kongres po i përmbahen një qëndrimi unik, duke kërkuar financimin e operacioneve qeveritare në nivelet e miratuara më parë. Disa ligjvënës republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat kanë vënë në pikëpyetje taktikat e partisë së tyre, por përçarjet në parti ende nuk kanë marrë përmasa aq të mëdha sa të detyrojnë kryetarin e Dhomës John Boehner të hedhë në vote një projekt-ligj pa parakushte të tjera.

Dje Dhoma e Përfaqësuesve votoi për të paguar punonjësit qeveritarë që janë pezulluar nga mbyllja e qeverisë, por ende nuk dihet sa do të zgjasë kjo mbyllje.
XS
SM
MD
LG