Lidhje

Kongresi pret sot provat për akuzat e presidentit


Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin i ka dhënë afat Presidentit Trump që brenda ditës së hënë të paraqesë prova mbi pretendimet e tij se telefonat e tij në Kullën Trump po përgjoheshin gjatë fushatës presidenciale vjet.

Javën e kaluar, presidenti bëri një postim në Twitter ku akuzonte ish-Presidentin Barak Obama se i kishte përgjuar bisedat telefonike në banesën e tij, por zoti Trump nuk ka ofruar ende prova. Presidenti postoi komentin “E tmerrshme. Sapo zbulova që Obama ka përgjuar bisedat e mia telefonike në Kullën Trump para fitores. Nuk kanë zbuluar asgjë. Ky është Makartizëm”.

Kryetari i Komisionit, republikani Devin Nunes dhe demokrati më i lartë në komision, ligjvënësi Adam Schiff, i dërguan një letër presidentit ku kërkojnë dëshmi që mbështesin pretendimin e tij.

Një zëdhënës i zotit Obama tha se akuzat e presidentit janë “thjeshtë falso”. Presidenti nuk ka bërë komente të tjera që nga postimi në Twitter.

Të dielën, Senatori John McCain tha për rrjetin CNN “Presidenti ka dy zgjedhje: ose të tërheqë komentin që bëri, ose të ofrojë dëshmi për popullin amerikan. Nëse pararendësi i tij ka shkelur ligjin, atëherë kemi të bëjmë me një çështje shumë problematike”.

Senatori McCain tha se nuk ka arsye të besojë se këto akuza janë të vërteta.

Në bazë të ligjit amerikan, një president nuk mund të japë urdhër për të përgjuar telefonat e një personi pa miratim nga gjykata, pasi të jenë paraqitur argumente të mirëfillta që dëshmojnë se ka dyshime për personin në fjalë si element kriminal.

Akuzat për përgjime po analizohen në kuadër të hetimeve që ka autorizuar Kongresi mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet amerikane, pasi agjencitë e zbulimit dolën me përfundimin se Moska ka ndikuar tek zgjedhjet për të ndihmuar fitoren e Donald Trumpit dhe pasi u zbulua se ka pasur kontakte mes zyrtarëve rusë dhe punonjësve të fushatës Trump para dhe pas votimeve të nëntorit.

Agjencitë e zbulimit arritën në përfundimin se Rusia kishte infiltruar në kompiuterin e shefit të fushatës së zonjës Clinton, John Podesta dhe më pas WikiLeaks nxori mijëra emaie pak para zgjedhjeve, në të cilat kishte informacion që vinte në pozitë të vështirë fushatën e zonjës Clinton pasi dëshmonte disa manipulime brenda Partisë Demokrate për t’i siguruar asaj fitoren mbi kandidatët e tjerë demokratë.

Zoti McCain tha se ka shumë të panjohura që pritet të zbulohen lidhur me kontaktet mes personave të afërt me zotin Trump dhe zyrtarëve rusë. Senatori McCain tha se ishte shqetësuar që partia e tij hoqi një klauzolë nga platforma e saj politike vjet ku kërkohej furnizimi me armë i Ukrainës për ta mbështetur në luftë kundër separatistëve rusë.

“Duket qartë se nuk ishte vullneti i shumicës republikane. Ka shumë aspekte të marrëdhënies me Rusinë dhe Vladimir Putinin që duhen analizuar më thellë dhe deri tani nuk mendoj se populli amerikan ka marrë sqarimet e nevojshme,” tha Senatori McCain.

XS
SM
MD
LG