Lidhje

Sfidat për Kongresin e ri


Kongresi i ri amerikan do të përballet së shpejti me një çështje që kishte paralizuar legjislacionin e mëparshëm: borxhi i lartë federal. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Senat, Michael Bowman, Kongresi mbetet i ndarë politikisht dhe aftësia e këtij institucioni për të gjetur gjuhën e përbashkët do të vihet përsëri në provë.

Buzëqeshjet ishin të shumta në ndërtesën e Kapitolit, ndërsa Zëvendës Presidenti Joe Biden drejtoi ceremoninë e betimit të senatorëve të rinj dhe atyre të rizgjedhur.

Pak më parë, gjatë një momenti prekës, zoti Biden shoqëroi brenda në sallë senatorin republikan të Ilinoit Mark Kirk, i cili rikthehej për herë të parë që kur pësoi një goditje në tru vitin e kaluar. Ai u mirëprit edhe nga gazetarët.

Por ceremonitë dhe emocionet e ditës së parë të Kongresit të ri nuk mund të fshehin qëndrimet e ndryshme lidhur me votimet që duhet të zhvillohen këtë javë në të dyja dhomat, për të shmangur rritjet automatike të taksave të parashikuara nga e ashtuquajtura "gremina fiskale."

Vetëm pak çaste pas betimit të senatorëve, udhëheqësi i pakicës republikane Mitch McConnell mori fjalën duke rikthyer vëmendjen tek një nga çështjet kryesore rreth të cilës ata do të duhet të punojnë.

"Brenda pak muajve, Presidenti Obama do të na kërkojë të ngrejmë tavanin e borxhit të vendit. Ne nuk mund pranojmë të rrisim kufirin e huamarrjes pa rënë më parë dakord për reforma që pakësojnë shpenzimet, të cilat janë arsyeja e krijimit të këtij borxhi".

Zoti McConnell e hodhi poshtë kategorikisht mundësinë e propozuar nga presidenti Barak Obama për përfshirjen e rritjes së të ardhurave në paktet mbi reduktimin e deficitit gjatë vitit të ardhshëm. Pra, në ditën e parë të punës së Kongresit të ri, u shpalosën qëndrimet e kundërta të palëve lidhur me çështjen më të ngutshme të vendit.
Edhe senatorët e rinj bënë të qarta pozicionet e tyre të deklaruara më parë. Senatorja demokrate e Masaçusetsit, Elizabeth Warren, zhvilloi fushatë dhe fitoi duke premtuar se do të mbrojë shërbimin e ndihmës sociale amerikane prej shkurtimeve buxhetore.

"Të gjithë të moshuarit, të cilët meritojnë të dalin në pension me sigurinë që e fituan me punën e tyre, i sigurojmë se kujdesi shëndetësor dhe përfitimet e sigurimeve shoqërore për ta do të mbrohen, dhe se milionerët dhe miliarderët do të paguajnë pjesën që u takon."

Senatori republikan Jeff Sessions tha se ligjvënësit e rinj po bëhen pjesë e një legjislature jo të frytshme.

"Me një ritëm shumë të shpejtë, ne kemi bërë disa zgjedhje shumë të gabuara lidhur me mënyrën se si trajtojmë çështjet e popullit. Ky ka qenë Senati më pak i frytshëm në histori."

Megjithatë, ndërsa Kongresi i ri filloi punimet, shumë ligjvënës u përpoqën të nxisnin një ton shpresëdhënës dhe optimist. Senatori republikan Bob Corker shprehu mbështetjen e tij ndaj një propozimi dypartiak që synon të reformojë rregulloren e Senatit, duke kufizuar përdorimin e mocioneve procedurale për të bllokuar legjislacionin. Ai tha se Kongresi ka mundësinë për të qenë më produktiv në shërbim të popullit amerikan.

"Marrja e vendimeve të vështira ndonjëherë krijon dramë. Le të shpresojmë se do të jemi në gjendje të veprojmë më tepër si të rritur dhe t’i marrim këto vendime paraprakisht dhe jo në minutën e fundit."

Senatori demokrat Max Baucus nuk mendon se Kongresi do të arrijë të përmirësojë menjëherë mënyrën e zhvillimit të punës. Por ai shton se, të paktën, bllokimet e legjislacionit nuk mund të përkeqësohen më tepër se kaq.

"Nuk mund të ndodhë gjë tjetër veçse përmirësimit të situatës. Dhe shumë prej nesh këtu do të bëjmë gjithçka mundemi për ta arritur një gjë të tillë."

Senatori Corker, në fjalën e tij, tha gjithashtu se Kongresi i polarizuar politikisht thjesht reflekton elektoratin politikisht të ndarë të Shteteve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG