Lidhje

SHBA: Referendumi në Krime, i paligjshëm


SHBA e hodhi poshtë referendumin në Krime duke e quajtur të paligjshëm dhe po përgatit masat e kundërpërgjigjes. Ndërkohë, Uashingtoni është përqendruar te frenimi i një përparimi të mundshëm ushtarak të Rusisë në pjesë të tjera të Ukrainës, gjë që mund ta acaronte krizën.

Edhe para se të shpalleshin rezultatet zyrtare të referendumit, Shtëpia e Bardhë e dënoi votimin në Krime për bashkimin me Rusinë, duke thënë se ai shkel kushtetutën e Ukrainës dhe të drejtën ndërkombëtare dhe se u mbajt nën kërcënimin e dhunës e të frikësimit për një ndërhyrje ushtarake ruse.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhej se asnjë vendim nuk mund të merret mbi të ardhmen e Ukrainës pa qeverinë ukrainase.

Në deklaratën e saj, Shtëpia e Bardhë tha se veprimet e Rusisë janë të rrezikshme dhe destabilizuese, çka u pohua në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me votimin e së shtunës që vetëm Rusia e kundërshtoi.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, thekson deklarata, e kanë bërë të qartë se ndërhyrja ushtarake dhe shkelja e së drejtës ndërkombëtare do të sjellin kosto në rritje për Rusinë, jo vetëm për shkak të masave që do të imponohen nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët, por edhe si rezultat i drejtpërdrejtë i veprimeve destabilizuese të vetë Rusisë.

Në deklaratë thuhet se kanë kaluar ditët kur komuniteti ndërkombëtar mund të qëndrojë në heshtje, ndërsa një vend uzurpon me dhunë territorin e një vendi tjetër.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG