Lidhje

Presidenti Obama viziton Laosin, premton nidhmë për pastrimin e bombave


Presidenti amerikan Barack Obama premtoi më shumë fonde në ndihmë të pastrimit të bombave të pashpërthyera në Laos. Gjatë vizitës në këtë vend, ai bëri thirrje gjithashtu për përmirësimin e standarteve të arsimit në një takim me të rinjtë në kryeqytetin Vientiane.

Presidenti Obama vizitoi në Vientiane një qendër që ofron trajtim për të mbijetuarit nga fushata e bombardimeve masive të kryera gjatë luftës së Vietnamit.

80 milion bomba thërrmuese kanë mbetur të pashpërthyera nëpër ferma dhe fshatra duke vrarë ose plagosur më pas 20 mijë njerëz.

Zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara kanë “një detyrim të thellë moral dhe njerëzor" për të mbështetur përpjekjet për pastrimin e bombave të pashpërthyera që janë hedhur në Laos gjatë luftës së Vietnamit.

"Dje isha krenar që njoftova një rritje të ndjeshme të angazhimit amerikan në këtë detyrë. Ne do të investojmë 90 milionë dollarë gjatë tre vjetëve të ardhshme në këto përpjekje. Shpresa jonë është që ky financim të shënojë një hap të rëndësishëm përpara në punën për të ulur rrezikun, për të pastruar bombat, për të ndihmuar të mbijetuarit dhe për të sjellë një të ardhme më të mirë për Laosin".

Më pas, në një takim shumë më entuziast me të rinjtë e përfshirë në nismën për Udhëheqësit e Rinj të Azisë Juglindore, të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara, zoti Obama tha se të rinjtë kanë qënë historikisht çelësi i përparimit dhe i zhvillimit. Ai theksoi nevojën për përmirësimin e standarteve të arsimit dhe që këto përfitime të përfshijnë vajzat dhe jo vetëm djemtë.

Ai i tha audiencës së të rinjve se kjo mund të jetë koha më e mirë në historinë e njerëzimit për të qenë i ri:

"Bota asnjëherë nuk ka qënë më e shëndetshme, më e pasur dhe më e arsimuar. Nuk ka qënë më pak e dhunshme dhe më tolerante sesa sot. Jo gjithmonë e shohim këtë pasi ka gjëra të tmerrshme që po ndodhin në mbarë botën dhe ka tragjedi reale dhe padrejtësi që ndodhin. Është detyra juaj që t’i ndreqni ato. Por asnjëherë nuk duhet të dekurajoheni pasi sot keni më shumë mundësi për të ndryshuar botën sesa çdo gjeneratë e mëparshme. Kam shpresë se ju do ta shfrytëzoni këtë mundësi dhe duhet ta dini se keni një mik dhe partner të fuqishëm – Shtetet e Bashkuara."

Në përgjigje të pyetjeve nga audienca, zoti Obama tha se ai shpreson që udhëheqësi i ardhshëm amerikan të vazhdojë të shtojë angazhimin në rajonin e Azi Paqësorit dhe se ai beson që kongresi ta miratojë marrëveshjen e tregëtisë së Partneritetit Trans-Paqësor.

Ai theksoi gjithashtu përfitimet që vijnë nga bashkëveprimi me njerëz të kulturave të ndryshme si një mënyrë për të mësuar gjithmonë dhe përmendi nevojën e respektimit të njerëzve që kanë besime dhe prejardhje të ndryshme. Presidenti u tha të pranishmëve se ka në plan të vazhdojë punën me të rinjtë pasi të largohet nga posti në janar.

Zoti Obama është i pari president amerikan që shkon në Laos. Vizita e tij është udhëtimi i 11 dhe i fundi që ai bën në Azi si president.

XS
SM
MD
LG