Lidhje

SHBA mbyllin përkohësisht ambasadën në Libi


Shtetet e Bashkuara mbyllën përkohësisht ambasadën e tyre në Libi dhe evakuuan personelin për në Tunizinë fqinje për shkak të luftimeve të ashpra në zonat pranë ambasadës amerikane në Tripoli.

Departamenti i Shtetit tha se ka pezulluar operacionet e ambasadës për shkak të "dhunës së tanishme mes milicive libiane."

Në një deklaratë të bërë sot, Departamenti i Shtetit rekomandonte gjithashtu që shtetasit amerikanë në Libi të largohen menjëherë nga vendi.

Duke folur nga Parisi, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se në kryeqytetin libian ka "dhunë të milicive të pakontrolluara". Ai tha se ndonëse kjo dhunë në Tripoli në pjesën më të madhe nuk ka si synim ambasadën, ajo paraqet një rrezik mjaft real për personelin amerikan.

Javët e fundit, milicitë rivale që përpiqen për kontrollin e aeroportit të Tripolit janë angazhuar në disa nga luftimet më të përgjakshme që nga rrëzimi i ish-udhëheqësit libian Muamer Gadafi në vitin 2011.

XS
SM
MD
LG