Lidhje

Debat, projektligji për sulmet e 11 shtatorit


Një ditë para se Presidenti Barack Obama të mbërrijë në Arabinë Saudite, senatorë amerikanë nga të dyja partitë, kanë lënë të kuptohet se e mbështesin projektligjin për sulmet e 11 shtatorit, një projektligj që ka zemëruar Riadin dhe është kritikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Projektligji “Drejtësi kundër Sponsorizuesve të Terrorizmit” do t'i lejonte familjet e viktimave të 11 shtatorit të padisnin shtete të huaja dhe partnerë financiarë të terrorizmit. Edhe pse teksti i ligjit nuk përmend asnjë vend dhe mund të zbatohet për çdo grup terrorist, ai duket se ka në shënjestër Arabinë Saudite, vendi nga i cili ishin shumica e autorëve të sulmeve të 11 shtatorit.

"Ne duhet të përdorim çdo mjet në dispozicion për të parandaluar financimin e terrorizmit. Dhe viktimat e terrorizmit në vendin tonë duhet të jetë në gjendje të kërkojnë drejtësi," tha senatori republikan nga Teksasi, John Cornyn, i cili ka paraqitur ligjin në bashkëpunim me senatorin demokrat nga Nju Jorku, Chuck Schumer.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Barack Obama ka të ngjarë të mos e firmosë ligjin.

“I gjithë nocioni i imunitetit të një vendi sovran është në rrezik. Dhe kjo ka më shumë pasoja për Shtetet e Bashkuara se sa për çdo vend tjetër”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.

Arabia Saudite për një kohë të gjatë ka mohuar të ketë patur rol në sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001.

Legjislacioni po shqyrtohet me hollësi pas një njoftimi të gazetës New York Times që citon zyrtarë sauditë, sipas të cilëve mbretëria arabe do të shesë miliarda dollarë bono thesari të Shteteve të Bashkuara, nëse Kongresi miraton një ligj të tillë.

I pyetur rreth projektligjit, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha se nga shqetësimet e ngritura për legjislacionin është e vështirë të imagjinosh një skenar ku presidenti Obama do ta nënshkruante atë në ligj.

“Çështja e imunitetit sovran është diçka që mbron mundësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar nga afër me vende të ndryshme. Tërheqja nga ky parim i vë në rrezik Shtetet e Bashkuara, taksapaguesit, anëtarët e shërbimit dhe diplomatët tanë.”

Zoti Earnest e quajti Arabinë Saudite një partner të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit. Ai pranoi se ndonëse dy vendet nuk bien dakord për të gjitha temat, mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes diplomacisë.

Senatori republikan Lindsey Graham, një kritik i ashpër i politikës së jashtme të Presidentit Obama, i tha Zërit të Amerikës, se në këtë rast Shtëpia e Bardhë ka të drejtë. "Gjatë luftës në Bosnje, ne goditëm ambasadën kineze dhe në Afganistan një spital të organizatës Mjekët pa Kufij. Ne nuk duam t’i vëmë ushtarët dhe diplomatët tanë në rrezik, duke vendosur një precedent që mund të na dëmtojë në të ardhmen", tha senatori Graham. Megjithatë, ai shprehu bindjen se gjuha e projekt-ligjit mund të qartësohet dhe mund të fitojë mbështetjen e tij.

Edhe senatori demokrat Robert Mendez shprehu shqetësimin e tij mbi ndikimin që projektligji mund të ketë në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite.

Ligji është miratuar nga një komision i senatit dhe tani pritet të kalojë për shqyrtim në gjithë senatin.

"Unë do të anoja nga mbështetja e projektligjit, por do t'i lexoja të 28 faqet para se të vendosja përfundimisht", i tha Senatorja demokrate Barbara Boxer Zërit të Amerikës.

"28 faqet" i referohen një pjese që nuk është bërë publike të një raaporti të Kongresit për sulmet e 11 shtatorit, që besohet gjerësisht se përmbajnë informacione për lidhje të mundshme midis elementëve sauditë dhe rrëmbyesve të avionëve.

XS
SM
MD
LG