Lidhje

Sfidë ndaj ligjit amerikan për subvencione bujqësore

  • Steve Baragona

Presidenti nënshkruan ligjin e subvencioneve më 7 shkurt në Lansing, Miçigan

Presidenti nënshkruan ligjin e subvencioneve më 7 shkurt në Lansing, Miçigan

Ende pa u tharë boja e firmës që futi në fuqi subvencionet e reja për ekonomitë bujqësore amerikane, ky ligj i ri po sfidohet në shkallë globale me arsyetimin se shkel rregullat e tregtisë ndërkombëtare. Brazili thotë se ligji i nënshkruar nga Presidenti Obama më 7 shkurt ofron mbrojtje të padrejtë për prodhuesit amerikanë. Brazilia ka njoftuar planet për ta paraqitur çështjen para Organizatës Botërore të Tregtisë.

Kjo çështje e ka zanafillën që nga viti 2002. Cmimet e pambukut kishin vazhduar të binin që nga fundi i viteve ’90 dhe fermerët në Brazil dhe vende të tjera në zhvillim po ndeshnin në vështirësi ekonomike.

Ndërkaq, fermerët amerikanë gëzonin subvencione të mëdha, siç shpjegon ekonomisti Daniel Sumner i Universitetit të Kalifornisë.

"Në disa raste fermerët që kultivonin pambuk merrnin mbi gjysmën e të ardhurave të tyre përmes subvencioneve qeveritare. Vendet e tjera u ngritën të revoltuara me pyetjen se si mund të mbijetonin përballë kësaj situate?”

Brazili ngriti padi kundër Shteteve të Bashkuara në Organizatën Botërore të Tregtisë. Zoti Sumner ishte ekonomisti që punoi për të ndërtuar argumentin ekonomik.

Shtetet e Bashkuara e humbën çështjen si herën e parë ashtu edhe pas apelimit.

Meqë Amerika nuk ndryshoi politikat e subvencioneve, Organizata Botërore e Tregtisë i hapi Brazilit dritën e gjelbër për t’iu përgjigjur këtyre subvencioneve. Zakonisht kjo nënkupton vendosjen e tarifave mbi mallrat e importuara. Por zoti Sumner thotë se këto masa ngrenë çmimet e produkteve ushqimore për konsumatorët brazilianë.

"Brazili e pa situatën dhe tha ‘nuk duam të vendosim tarifa mbi produktet që importojmë nga Shtetet e Bashkuara, pasi tarifat do të dëmtonin ekonominë tonë. Duhet të gjejmë një mënyrë tjetër për t’i tërhequr vëmendjen qeverisë amerikane”.

Ata kërcënuan se do të pezullonin mbrojtjen e pronës intelektuale të kompanive amerikane, si programeve kompiuterike, ilaçeve, filmave, etj me vlerë prej miliarda dollarësh. Kjo e detyroi Uashingtonin të ulet në tryezën e bisedimeve.

Në 2010, dy palët arritën marrëveshje. Zoti Sumner thotë se kjo ndodhi pak kohë para rishikimit të ligjit për subvencionet bujqësore.

"Qeveria amerikane tha se do të ndryshonte ligjet dhe premtoi të vazhdonte të paguante 150 milionë dollarë deri sa ligji të ndryshohej gradualisht për të plotësuar kushtet që parashtron Organizata Botërore e Tregtisë.

Ligji që nënshkroi Presidenti Obama përfshin disa ndryshime. Në bazë të sistemit të vjetër, fermerët merrnin pagesa kur çmimet e pambukut binin nën një nivel të caktuar. Në bazë të ligjit të ri, fermerët blejnë siguracione që mbrojnë të ardhurat e tyre kur bien çmimet në treg. Qeveria paguan pjesën më të madhe të kostos për siguracionet.

Kreu i shoqatës së prodhuesve brazilianë të pambukut Gilson Pinesso thotë se ky ndryshim nuk përbën ndonjë përmirësim të situatës.

"Me këto sigurime, prodhuesit amerikanë paguhen pavarësisht nga prodhimtaria, pavarësisht nga problemet e motit dhe cilësia e produktit”.

Zoti Pinesso thotë se fermerët amerikanë nuk do të kenë arsye të mos prodhojnë, gjë që do të shtojë sasinë e pambukut në treg, duke ulur më tej çmimet.

Ai shtoi se programet për kulturat e tjera bujqësore në bazë të ligjit të ri për fermat po ashtu nxisin mbiprodhim nga fermerët amerikanë.


Brazili do ta ngrejë përsëri çështjen në OBT. Por shoqata më e madhe që përfaqëson interesat e fermerëve thotë se nuk është e shqetësuar. Dale Moore është shefi i politikave për shoqatën.

"Siguracionet lejohen në bazë të procesit të OBT-së. Jam i bindur se Brazili do të thotë se ky program nuk përshtatet me interesat e tij, por kam gjithashtu bindjen se Organizata Botërore e Tregtisë do të arrijë në përfundimin se në këtë pikë kemi të drejtë”.

Por shumë ekonomistë e përshkruajnë ligjin e ri si të prapambetur, që mund të shkaktojë më shumë dëme mbi fermerët e vendeve në zhvillim krahasuar me ligjin e mëparshëm.
XS
SM
MD
LG