Lidhje

SHBA, një ligjvënës shpallet fajtor për korrupsion


Një juri federale në SHBA gjeti fajtor ligjvënësin demokrat Chaka Fattah të Pensilvanisë për një numër akuzash, duke përfshirë mashtrim dhe ryshfet.

Chaka Fattah akuzohej për përfshirje në një skemë shantazhi, në të cilën ai përdorte grante federale dhe fondacione jo-fitimprurëse për të paguar një kredi prej 1 milion dollarësh për fushatën.

"Kongresmeni Fattah e përdori detyrën e tij në mënyrë korruptive për përfitime personale dhe politike", tha ndihmës Prokurorja e Përgjithshme Leslie Caldwell. "Ai mori ryshfet, mashtroi dhe madje vodhi para nga fushata. Me pak fjalë, ligjvënësi Fattah dhe të pandehurit e tjerë i privuan popullit të Pensilvanisë lindore të drejtën për shërbime të ndershme nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur", tha zonja Caldwell gjatë shpalljes së vendimit.

Sipas provave të paraqitura në gjyq, Fattah mori hua 1 milion dollarë për fushatën e tij të dështuar për kryebashkiak të Filadelfias, dhe përdori 600-mijë dollarë nga Aleanca për Përparimin e Arsimit, një organizatë jo-fitimprurëse që ai e kishte krijuar vetë për të shlyer kredinë. Së bashku me të pandehurit e tjerë të përfshirë në këtë skemë, Fattah krijoi kontrata false dhe bëri hyrje të rreme në regjistrat kontabël të organizatës jo-fitimprurëse për të fshehur skemën mashtruese.

Përveç kësaj, Fattah përdori fonde nga fushata për zgjedhje në Kongres për të shlyer borxhin e kredisë studentore të djalit të tij.

Djali i tij është duke vuajtur një dënim pesë-vjeçar për mashtrim.

Fattah foli me gazetarët pasi ai u largua nga salla e gjyqit, duke falënderuar anëtarët e jurisë për shërbimin e tyre, por nuk dha asnjë shenjë se do të japë dorëheqjen. Udhëheqësja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi mund të kërkojë dorëheqjen e tij, ose së bashku me demokratët e tjerë të lartë, ta përjashtojë nga Kongresi.

Seanca për dhënien e dënimit është planifikuar për në tetor.

XS
SM
MD
LG