Lidhje

SHBA: Ligjvënësit i kërkojnë Kinës të mos riatdhesojë refugjatët koreanoveriorë


Kina po përballet me thirrje në rritje për të ndaluar riatdhesimin e dhjetëra koreanoveriorëve të cilët kohët e fundit u arratisën në Kinë dhe janë duke u mbajtur nga autoritetet. Kina thotë se ka të drejtë t’i riatdhesojë, duke i quajtur ata “emigrantë ekonomikë”. Por, aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se të arrestuarit mund të përballen me tortura dhe ekzekutime, nëse ata kthehen në Korenë e Veriut.

Ligjvënësit amerikanë zhvilluan një seancë dëgjimore ditët e fundit për të nënvizuar urgjencën e kësaj situate. Ligjvenësi Chris Smith, një republikan nga Nju Xhersi dhe kryetar i Komisionit Ekzekutiv të Kongresit për Kinën, tha se në javët e fundit autoritetet kineze kanë arrestuar dhjetra koreanoveriorë që ishin arratisur në Kinë nga Koreja e Veriut. Zoti Smith tha se ata do të përballet me pasoja të tmerrshme, në qoftë se kthehen në Korenë e Veriut.

“Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka kërcënuar se do t’i dënojë me 'shfarosjen e tre brezave' familjet që do të kapen duke ikur nga Koreja e Veriut gjatë periudhës 100 ditore të zisë kombëtare për nder të ish udhëheqësit Kim Jong Il. Dhe sinqerisht, unë e besoj atë”, thotë ligjvenësi Smith.

Në vend të kthimit të tyre në Korenë e Veriut, siç ka bërë Kina në të kaluarën, ligjvënësit amerikanë, aktivistët për të drejtat e njeriut dhe dy persona që kanë ikur nga Korea e Veriut i kanë bërë thirrje Pekinit të gjejë një rrugë tjetër.

Në dëshminë e saj para komisionit, Songhwa Han që është arratisur nga Koreja e Veriut tha se arsyeja e ikjes së parë nga vendi shumë vite më parë ishte nevoja për të ushqyer fëmijët. Zonja Han tha se ajo kaloi lumin Tumen në Kinë i cili ishte i thellë deri në belin e saj, duke e mbajtur vajzën e saj të kequshqyer shtatë vjeçare në një thes dhe duke mbajtur me dorën tjetër dorën e vajzës së madhe ndërkohë që ato përballeshin me rrymat e ftohta të ujit. Han tha se ajo ishte riatdhesuar me forcë në Korenë e Veriut katër herë, para se të arratisej përfundimisht jashtë shtetit.

Zonja Han tha se koreanoveriorët e riatdhesuar trajtoheshin shumë keq, si kafshë, nga regjimi. Ajo tha se pasi të arratisurit u dorëzoheshin autoriteteve të Koresë së Veriut, atyre u thuhej se ata ishin qenë dhe duhet të mbanin kokën ulur. Të burgosurit i lidhnin me zinxhirë me njëri-tjetrin dhe në qoftë se bënin zhurmë, ata goditeshin me kondak të pushkës.
Edhe vajza e saj, Jinhye Jo, dëshmoi në seancë.

Jinhye Jo tha se uria e detyroi familjen e saj të largohej nga Koreja e Veriut dhe se ata duhej të shmangnin autoritetet kineze që ishin në kërkim të personave të arratisur nga Korea e Veriut dhe trafikantëve.

Ajo tha se kur mendon për vuajtjet që ka kaluar në kohën kur mbahej nga autoritetet në Korenë e Veriut, ajo ka frikë se e njejta gjë do t’u ndodh koreanoveriorëve që tani po mbahen në Kinë nëse ata riatdhesohen në Korenë e Veriut.

Sipas raportit të vitit 2010 të Departamentit të Shtetit për gjendjen e të drejtave të njeriut, përllogaritet se mijëra koreanoveriorë fshihen në Kinë. Raportet dhe dëshmitë e atyre që janë riatdhesuar me forcë tregojnë se ata janë përballur me rrahje, tortura, punë të detyruar dhe dhunë seksuale.

Suzanne Scholte, një aktiviste e të drejtave të njeriut që punon për të larguarit e Koresë së Veriut, thotë se Kina po zvarrit krizën e refugjatëve.

“Kina i frikësohet rritjes së numrit të refugjatëve, në qoftë se i lejon refugjatëve kalim të sigurt në Korenë e Jugut. Por veprimet e Kinës garantojnë se gjithmonë do të ketë refugjatë sepse Kim Jong Un nuk po merr masa për përmirësimin e kushteve në Korenë e Veriut. Koreanoveriorët nga dëshpërimi po ikin nga vendi i tyre. Ata i dinë rreziqet dhe pasojat e ikjes, dhe shumica e koreanoveriorëve kanë dëshirë të kthehen në Korenë e Veriut nëse ka përmirësim të kushteteve të jetesës”.


Në javët e fundit, thirrjet që i janë bërë Kinës për të ndaluar riatdhesimin e refugjatëve koreanoveriorë janë rritur, dhe Koreja e Jugut ka luajtur një rol kyç në tërheqjen e vëmendjes ndërkombëtare për këtë çështje.

Presidenti i Koresë së Jugut Lee Myung-bak i ka bërë thirrje Kinës të mos bëjë riatdhesimin e të arratisurëve nga Korea e Veriut nëse ata nuk janë të përfshirë në veprimtari kriminale. Seuli e ka ngritur çështjen në një panel të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe në takimet me ministrin e jashtëm kinez Jiechi Yang javën e kaluar në Korenë e Jugut.

XS
SM
MD
LG