Lidhje

SHBA, Ligjvënësit kërkojnë përgjigje


Ligjvënësit amerikanë janë duke kërkuar përgjigje mbi rrjedhjet e informacioneve lidhur me përpjekjet e vendit për luftë kompjuterike dhe sulmet me avionë pa pilotë. Disa anëtarë të Kongresit po akuzojnë administratën e Presidentit Obama për nxjerrje të informacionit mbi këto programe delikate për të fituar një avantazh politik.

Për disa, programet sekrete janë pozitive – sulmet me avionë të telekomanduar vranë numrin dy të al-Kaidës, Ebu Jahja al-Libi, ndërsa viruset kompjuterike ka mundësi të kenë zmbrapsur ambiciet bërthamore të Iranit me muaj apo edhe vite.
Por në Kongres po shtohen dyshimet. Disa ligjvënës akuzojnë administratën e Presidentit Obama për rrjedhje të informacionit mbi këto programe delikate për të fituar një avantazh politik.
Kryetari i Komitetit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve, republikani nga Teksasi Lamar Smith:
"Kjo administratë është angazhuar në një model papërgjegjshmërie dhe pengesash partiake."
Ligjvënësit zhvilluan një sërë takimesh të nivelit të lartë me dyer të mbyllura, përfshi një me drejtorin e shërbimit kombëtar të zbulimit, James Clapper.
Më pas, Senatori republikan Saxby Chambliss ishte i qartë:
"Jo vetëm që rrjedhjet kanë ndodhur por ka pasur një ujëvarë rrjedhjesh së informacioneve nga ana e zyrtarëve të zbulimit gjatë javëve dhe muajve të fundit."
FBI-ja ka filluar një hetim. Por Senatorja demokrate, Dianne Feinstein thotë se nuk ka nevojë për fajësime dhe se rrjedhjet duhet të ndalojnë.
"Kur njerëzit thonë se nuk duan të punojnë me Shtetet e Bashkuara, sepse nuk mund t’u besojnë lidhur me mbajtjen e një sekreti, kjo është diçka serioze."
Rrjedhjet kanë zbuluar detaje të rëndësishme mbi viruset kompjuterike “Stuxnet” dhe “Flame” që goditën Iranin, si dhe mbi vrasjet e udhëheqësve të al-Kaidës.
Ajo që nxiti mllefin politik ishte dhe gatishmëria e administratës së Presidentit Obama për të theksuar suksesin.
"Vdekja e Al-Libit është një goditje e madhe në themel të al-Kaidës. Eliminohet kështu udhëheqësi numër dy për të dytën herë në më pak se një vit, duke dëmtuar më tej moralin dhe qëndrueshmërinë e grupit si dhe duke e sjellë atë më pranë fundit të tij se kurrë më parë."
Disa ekspertë të zbulimit thonë se mund të ketë shumë arsye për të theksuar suksesin e programeve sekrete. Por për momentin, ai sukses mund të mbetet jashtë vëmendjes nga presionet dhe buja e vitit zgjedhor.
XS
SM
MD
LG