Lidhje

SHBA, ligjvënësit komentojnë mbi kërcënimin nga ISIS

  • Michael Bowman

Presidenti amerikan Barak Obama sot në një fjalim televiziv do të shpjegojë strategjinë e tij për luftimin e ekstremistëve të grupit Shteti Islamik.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest thotë se Presidenti Obama beson se kjo është një përparësi e lartë për sigurinë kombëtare.
Ai tha se Presidenti Obama do të flasë për kërcënimin që vjen nga militantët dhe planin e tij për degradimin dhe shkatërrimin e grupit Shtetit Islamik.

Ligjvënësit amerikanë komentuan mbi kërcënimin nga Shteti Islamik në prag të fjalimit të Presidentit Barak Obama në të cilin ai do të njoftojë planet amerikane për të luftuar militantët islamikë. Ligjvënësit e të dyja partive thonë se veprimet janë të garantuara, por disa prejt tyre nuk pajtohen mbi çështjen e autorizimit të përdorimit të forcës nga Kongresi.

Për disa muaj, ligjvënësit republikanë kanë kritikuar ashpër reagimin e administratës së Presidentit Obama ndaj kaosit dhe militantizmit fanatik në Lindjen e Mesme duke a quajtur atë të dobët dhe të vonuar. Tani që Presidenti pritet të njoftojë strategjinë e tij kundër Shtetit Islamik, disa republikanë vazhdojnë ta kritikojnë atë dhe kërkojnë veprime të guximshme. Mitch McConnell është udhëheqësi i pakicës në Senat.

"Kërcënimi nga ISIL-i është real dhe në rritje. Ka ardhur koha që presidenti Obama të udhëheqë duke filluar një përgjigje ndaj këtij kërcënimi".

Ky mesazh u mbështet nga senatorja demokrate Jeanne Shaheen.

"Ata (Shteti Islamik) kanë kërcënuar të kryejnë sulme terroriste ndërkombëtare, duke përfshirë edhe këtu në Shtetet e Bashkuara. Ne duhet t’i kërkojmë llogari ISIS-it për veprimet e tyre të neveritshme".

Disa ligjvënësit e të dyja partive thonë se Presidenti Obama nuk ka nevoj të marrë autorizimin e Kongresit për të sulmuar luftëtarët e Shtetit Islamikë të cilët kontrollojnë territore në Siri dhe Irak. Senatori republikan Ted Cruz nuk është në mesin e tyre. Ai është shprehur hapur në mbështetje të veprimeve ushtarake.

"ISIS është një studim mbi shtypjen dhe brutalitetin. Përgjigja, parimisht duhet të jetë ushtarake".

Por senatori Cruz, i cili akuzon Presidentin Obama për dobësi në luftën kundër terrorizmit botëror, thotë se çdo veprim i ndërmarrë kundër grupit Shteti Islamik duhet të miratohet nga Kongresi.

"Ka njoftime se Presidenti po konsideron një veprim që mund të zgjasë deri në tre vjet. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ai e ka për obligim të vijë në Kongres dhe të paraqes strategjitë e tij".

Në Dhomën e Përfaqësuesve, Kryetari i saj, republikani John Boehner u pyet në mënyrë të përsëritur në qoftë se autorizimi nga Kongresit është i nevojshëm dhe në mënyrë të përsëritur ai dha një përgjigje të paqartë.

"Unë jam duke shpresuar të dëgjojë nga Presidenti një strategji për luftimin dhe shkatërrimin e ISIS-it".

Në përgjithësi, demokratët janë të ndjeshëm ndaj kritikave kundër presidentit për ngadalësinë e tij për të vepruar kundër Shtetit Islamik. Senatori nga Florida, Bill Nelson gjatë një fjalimi në senat vuri në dukje se Presidenti Obama ka urdhëruar tashmë sulme ajrore në Irak që kanë ndalur përparimin e Shtetit Islamik në qytetet kryesore dhe objektet e infrastrukturës. Ligjvënësit e të dyja partive thonë se ata do të ndjekin me interes të madh fjalimin e sotëm të Presidentit Obama.

XS
SM
MD
LG