Lidhje

SHBA: Marinsat stërviten të fitojnë besimin e popullsisë afgane


SHBA: Marinsat stërviten të fitojnë besimin e popullsisë afgane
SHBA: Marinsat stërviten të fitojnë besimin e popullsisë afgane

Ushtria amerikane pritet të tërhiqet nga Afganistani deri në vitin 2014. Megjithatë, mijëra marinsa amerikanë do të dislokohen atje brenda këtij viti për të mbështetur luftën. Për t’i përgatitur ata, Departamenti i Mbrojtjes ofron disa programe për mësimin e kulturës në disa baza ushtarake në Shtetet e Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Ana Uard ishte në një nga këto prograne në bazën e marinës në Kuantiko të Virxhinias, rreth 58 kilometra larg Uashingtonit.

Ky është kapiteni i marinsave Xhosh Perish, oficer i çështjeve civile, i cili do të dislokohet në Afganistan këtë vit. Puna e tij do të jetë me fise lokale për të ndërtuar puse, rrugë dhe shkolla. Por ai do të përpiqet të kuptojë edhe burimet e kryengritjes dhe si marinsat mund të fitojnë besimin e popullsisë vendase. Në përgatitje për dislokimin e tij, ai po ndjek një kurs për çështjet civile.

“Përparësia tani është të fitojmë zemrat dhe mendjet e njerëzve. Nëse arrijmë të ndajmë Talebanin nga popullsia vendase, atëherë unë mund të përdor mjetet e mia, njohuritë mbi kulturën e tyre për të kuptuar se cilat janë pikat e mungesës së stabilitetit dhe gjërat për të cilat ata kanë nevojë.”

Marinsat filluan programet e mësimit të kulturës pas luftës në Irak, kur përvoja në terren u tregoi ushtarakëve amerikanë se ata nuk i kuptonin zakonet e vendit ku po luftonin. Në vitin 2005, Korpusi i Marinës filloi programe për t’i mësuar trupave që dislokoheshin arabisht, gjuhët dari dhe pashto, si dhe mbi çështjet fetare, ekonomike dhe sociale në Irak dhe Afganistan. Xhorxh Dallas është drejtor i programit (të njohur si Qendra për Mësimin e Kulturës së Avancuar Operacionale).

“Marinsat e kuptojnë se njerëzit janë të rëndësishëm për të fituar, stabilizuar dhe vendosur sigurinë në rajon, dhe ngaqë e kuptojnë dhe respektojnë këtë, ata pranohen më lehtë.”

Degët e tjera të ushtrisë amerikane kanë ofruar mësime të tilla për njësitë e tyre të forcave speciale apo të zbulimit. Por programi i marinsave është i pari që u ofron të gjithë trupave mësime gjuhe dhe kulture. Doktor Pola Holmes Eber është antropologe që jep mësim në këtë program. Ajo thotë se në fillim kultura ishte koncept i çuditshëm për një ushtri që ishte mësuar me luftëra konvencionale.

“Nëse merr një marins 19 vjeçar që është rritur në Ajova, i cili nuk ka udhëtuar kurrë jashtë Shteteve të Bashkuara, ai i sheh por nuk i kupton gjërat. Por nëse u ofron atyre informacionin, ata nuk do të mendojnë që njerëzit e tjerë janë të çuditshëm dhe të këqij, por thjesht të ndryshëm dhe se ndoshta mund t’i ndihmojë ata.”

Doktor Holms-Eber thotë se përparimi i bërë në provincën Anbar të Irakut është shembulli më i mirë që tregon se si kuptimi i kulturës dhe bashkëpunimi me banorët vendas e ndryshoi provincën më të dhunshme. Për t’i përgatitur për dislokime të ardhshme, Korpusi i Marinës i stërvit trupat e veta në të gjitha fushat për të qenë të gatshëm për kriza në vende si Haiti, apo edhe konflikte të vogla kudo tjetër. Majori Xhonatan Kenedi është hartues i programeve mësimore në shkollën e Kuantikos në Virxhinia.

“Korpusi i Marinës ka një histori të gjatë përfshirjeje në luftra të vogla. Meqenëse nuk dihet kurrë se ku do të jetë lufta tjetër, parapërgatitja është shumë e rëndësishme për të pasur sukses.”

Deri tani është vështirë të vlerësohet ndikimi që ka pasur programi i marinsave. Por ndërkohë që afati i tërheqjes në vitin 2014 afrohet, Korpusi i Marinës mendon se do të arrijë jo vetëm strategjinë afatgjatë të stabilitetit dhe paqes por edhe kuptim më të mirë të një kulture që deri para pak vitesh ishte e huaj për trupat që dërgoheshin atje.

XS
SM
MD
LG