Lidhje

SHBA mbështesin fuqishëm integrimin euro-atlantik të Ballkanit


SHBA mbështesin fuqishëm integrimin euro-atlantik të Ballkanit

SHBA mbështesin fuqishëm integrimin euro-atlantik të Ballkanit

Në Tiranë u zhvillua sot një konferencë ndërkombëtare mbi demokracinë në Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrjen e diplomatëve nga gjithë vendet e rajonit. Diplomatët amerikanë në këtë takim deklaruan se Shtetet e Bashkuara mbështesin përpjekjet e rajonit për integrim euro-atlantik. Sipas tyre, në arritjen e këtij objektivi duhet të punojnë të gjithë; qeveria, shoqëria civile dhe faktorët me ndikim.

“SHBA mbështesin vendet e Ballkanit Perëndimor që të përmbushin kriteret e BE dhe NATO-s me punën e tyre të përditëshme” - deklaroi sot në Tiranë, këshilltari i Sekretares së Shtetit, Klinton, për shoqërinë civile dhe demokracitë në zhvillim, Tomicah Tillemann. Ai i bëri këto komente në konferencën “Demokratizimi i rajonit, si kriter për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor” të organizuar nga Këshilli Shqiptar për Marrëdhëniet e jashtme. Zoti Tillemann tha se për të arritur objektivat e integrimit euro-atlantik, SHBA po ndihmon jo vetëm qeveritë e rajonit, por edhe shoqërinë civile për të rritur transparencën dhe dialogun.

“SHBA kujdesen thellësisht dhe kanë investuar mjaft për të ardhmen e këtij rajoni. Ballkani perëndimor, si edhe pjesa tjetër e botës, po përballet me një periudhë ndryshimesh të jashtëzakonshme. Më e rëndësishmja është se këtyre sfidave dhe dinamikave të reja duhet t’u përgjigjen bashkarisht si qeveritarë, shoqëri civile, sipërmarrës privatë për të patur sukses në mirëqenien e qytetarëve. SHBA - tha zoti Tillemann - dëshiron që Europa të jetë e bashkuar dhe e zhvilluar, ndaj mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor që edhe ata të arrijnë nivelin e zhvillimit dhe anëtarësimit të tyre në Bashkimin Europian”.

Zoti Tillemann tha se në këto periudha të jashtëzakonshme të historisë “SHBA janë thellësisht të angazhuara në rajonin e Ballkanit. Përmes bashkëpunimit të të gjithë faktorëve do të vizatohet arkitektura e ndryshimeve, në mënyrë që njerëzit t’i përqafojnë ato. Demokracia do të jetë më e mirë me një shoqëri civile më të fortë, me një besueshmëri më të madhe mes palëve dhe me një mirëkuptim më të plotë mes tyre për shanset dhe mundësitë që kanë për zhvillim vendet dhe rajoni në tërësi”, tha ai.

Ndërsa zv.kryeministri dhe ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, thotë se “rajoni i Ballkanit ka ndryshuar shumë dhe nuk është më një fuçi baruti, siç është thirrur historikisht. Ballkani tani ka vende anëtare dhe kandidatë të Bashkimit Europian, si edhe vende anëtare dhe kandidatë të NATO-s”, tha ai.

Në konferencë morën pjesë shumë diplomatë nga SHBA, BE, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova, Greqia, Serbia, Gjermania dhe Austria, të cilët me temat e tyre shkëmbyen pikëpamje mbi situatën në rajon dhe ecurinë e integrimit euro-atlantik.

XS
SM
MD
LG