Lidhje

SHBA, dita e tretë e mbylljes së qeverisë


Sot është dita e tretë të mbylljes së pjesshme të qeverisë amerikane, dhe në horizont nuk duket asnjë shenjë se mund të arrihet ndonjë zgjidhje. Udhëheqësit e kongresit amerikan u takuan mbrëmë me presidentin Barak Obama për të diskutuar mbi problemin kryesor që ka çuar në gjendjen e tanishme.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner tha se bisedimet shkuan mirë, por asnjë marrëveshje nuk u arrit.

"Presidenti përsëriti sonte se ai nuk dëshiron të negociojë. Kemi një qeveri të ndarë; demokratët kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe Senatin, republikanët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve. Ne dërguam mbi katër propozime të ndryshme për kolegët tanë demokratë në Senat, ata i kundërshtuan të gjitha, ne kemi kërkuar të bisedojmë për buxhetin, të ulemi dhe të përpiqemi për të zgjidhur problemin, por ata nuk duan të negociojnë,” tha zoti Boehner.

Udhëheqësi i Senatit, demokrati Harry Reid tha pas takimit se demokratët janë të gatshëm për të biseduar me republikanët rreth gjithçkaje, por vetëm nëse miratohet një projekt-ligj për shpenzimet dhe nëse mbyllja e qeverisë merr fund pa ndikuar mbi ligjin e sigurimeve shëndetësore të presidentit Obama.

“Ky ligj është një tjetër siguri sociale, është një çështje e rëndësishme e kësaj administrate dhe ne kemi punuar shumë për të. Ne jemi të gëzuar që ky ligj është miratuar, dhe në takim e bëmë fare të qartë se jemi të vendosur për sa i përket ligjit për kujdesin shëndetësor,” tha senatori Reid.

Shtëpia e Bardhë e quajti takimin e mbrëmshëm të dobishëm dhe tha se presidenti është i kënaqur që u mbajt.

Por, para bisedimeve, zoti Obama i tha televizionit CNBC se ai është përpjekur shumë të punojë me republikanët, duke e quajtur mbylljen e qeverisë krejtësisht të panevojshme.

Qeveria amerikane u mbyll pjesërisht të hënën në mesnatë, pasi demokratët refuzuan të miratojnë propozimet e republikanëve që hiqnin fondet për ligjin e sigurimeve shëndetsore, ose për të shtyrë zbatimin e plotë të reformës së kujdesit shëndetësor.

Më shumë se 800,000 punonjës federalë janë pushuar përkohësisht nga puna për shkak të mbylljes. Janë mbyllur gjithashtu parqet kombëtare dhe shumë agjenci federale, disa prej të cilave ndihmojnë veteranët dhe të varfrit. Mbyllja nuk ka prekur transmetimet e Zërit të Amerikës.
XS
SM
MD
LG