Lidhje

SHBA: Mbyllja e qeverisë në ditën e 12-të


Mes ligjvënësve po shtohet interesi për një plan të paraqitur nga republikanët në Senatin Amerikan për t’i dhënë fund ngërçit politik lidhur me financimin e qeverisë, pasi përpjekjet e presidentit Obama për arritjen e një marrëveshjeje me republikanët në Dhomën e Përfaqçësuesve duket se kanë ngecur.

Sipas propozimit që u bë nga senatorja republikane Susan Collins do të financoheshin operacionet e qeverisë amerikane në nivelet tanishme edhe për 6 muaj të tjerë. Po sipas këtij propozimi, do të zgjerohej autoriteti qeveritar për të marrë para hua deri në janar. Zyrtarët amerikanë thonë se në kushtet aktuale, qeveria do të ketë fonde të kufizuara vetëm për të paguar faturat, në se arrin një marrëveshje për kufirin e huamarrjes të enjten.

Ndërkohë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner, u tha sot republikanëve se bisedimet e ligjvënësve me Presidentin Obama për t’i dhënë fund mbylljes së pjesëshme të qeverisë për 12 ditë kanë ngecur.

Ligjvënësit kanë mbajtur takime me dyer të mbyllura, me synim arritjen e një kompromisi. Zoti Obama tha në takimet e tij me ligjvënësit këtë javë, se është arritur marrëveshje mbi nevojën e shmangies së pasojave ekonomike, në se përmbushen detyrimet financiare të vendit.

Presidenti tha sot në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, se në takimin me udhëheqësit e Kongresit këtë javë për financimin e qeverisë federale dhe për ngritjen e kufirit të borxhit, palët ishin dakord për një gjë: “nevojën e shmangies së pasojave ekonomike si rrjedhim i mos përmbushjes së angazhimeve të vendit”.

Zoti Obama tha se kjo do të ishte e dëmshme për vendin, pasi do të ishte më e kushtueshme p për të marrë hua, gjë që do të çonte në atë që ai e përshkroi si situatë e imponuar nga republikanët për çdo familje dhe biznes amerikan. Ai tha se mospagimi i këstit të borxhit do të kishte pasoja të rënda edhe në tregjet botërore.

Kryetari i Komisionit të Kongresit për Shërbimin e Armatosur,
Buck McKeon mbajti fjalimin e republikanëve. Ai tha se të dyja palët kishin gjetur një gjuhë të përbashkët këtë javë, me ligjin që mbështet ushtarakët dhe familjet e tyre gjatë mbylljes së pjesëshme të qeverisë dhe se tani duhet vazhduar me arritjen e marrëveshjeve të reja.

Mbyllja e pjesëshme e qeverisë federale hyri sot në ditën e 12. Por dje ligjvënësit dhe Presidenti Obama u duk se bënë një farë përparimi, për faktin se ata u takuan për të diskutuar me njeritjetrin.

Presidenti bisedoi dje me demokratët dhe republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit për të disukutar një zgjidhje. Senatorja republikane, Susan Collins, u tha gazetarëve se takimi me presidentin ishte “i mirë, por pa rezultat përfundimtar”.

"Jam e kënaqur që më në fund presidenti është i angazhuar dhe po bisedon me republikanët dhe demokratët e të dy dhomave të Kongresit”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, tha se të gjitha palët janë dakord se duhet të bisedojnë, por republikanët duhet të kuptojnë se është e nevojshme që të heqin dorë nga kërcënimet.

"Qendrimi i presidentit se Shtetet e Bashkura nuk duhet dhe populli amerikan nuk mund të paguajnë pengun që Kongresi të bëjë punën e tij, janë aq të vërteta sot sa kanë qënë gjatë gjithë kësaj periudhe”.

Zyrtarët e financave nga 20 ekonomitë më të mëdha të botës u takuan dje në Uashington. Ministri rus i Financave, Anton Siluanov, tha se grupi u bëri thirrje udhëheqësve amerikanë të parandalojnë mundësinë e mospagimit të borxheve, një mundësi reale kjo nëse Kongresi nuk ngre kufirin e borxhit.

"Askush nuk përfiton nga zgjatja e peridhës së pasigurisë, kjo ndikon tek të gjitha vendet që kanë marrëdhënie bashkëpunimi. Natyrisht, çdokush është i interesuar në çështjet që po shqyrtohet dhe në zgjidhjen e tyre sa më parë që të jetë e mundur”.

Shumë vende kanë bono amerikane thesari. Ekonomistët thonë se këta investitorë mund të kenë humbje, nëse Shtetet e Bashkuara nuk paguajnë borxhet.
XS
SM
MD
LG