Lidhje

Udhëtimi i një qyteti të vogël, nga rënia në rimëkëmbje


Qyteza në mbarë Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të përballojnë recesionin dhe rënien ekonomike të 10-vjeçarit të fundit. Disa prej tyre nuk patën sukses, disa të tjerë po përpiqen me të gjitha mundësitë për të rikthyer pasurinë financiare, për të rindërtuar qendrat e tyre dhe për të gjetur identitete të reja mes komuniteteve të tyre. Faiza Elmasry na njeh me një prej qyteteve, që arriti me sukses të rimëkëmbet.

Braddock në shtetin e Pensilvanisë ishte një qytet i vogël i begatë deri sa industria amerikane e çelikut u rënua para 40 vjetësh. Më pas, qyteti përjetoi një rënie të madhe.

“Në kulmin e vet, ky qytet kishte një popullsi prej 20-21 mijë banorësh. Qyteti humbi deri në 90 për qind të populates, dikça krejtësisht shkatërrimtare për çdo qytet”.

Fotografi George Smyth ka një lidhje të gjatë me këtë qytet.

“Braddock ndodhet rreth një kilometer e gjysëm nga qyteza ku unë u rrita dhe ku një pjesë e familjes time ende banon”.

Para 2 vjetësh, Smyth vendosi të fotografonte ndërtesa kryesisht të braktisura në qendër të qytetit. 15 prej fotografive të tij bardhë e zi u ekspozuan kohët e fundit si pjesë e të ashtuquajturit Projekti Braddock.

“Kam fotografuar shumë ndërtesa e pamje dhe një numër i mirë i tyre nuk ekzistojnë më dhe kjo është një gjë e mirë”.

…gjë e mirë sepse shkatërrimi i shumë prej këtyre ndërtesave është pjesë e një plani afat-gjatë rizhvillimi për qytetin. Smyth thotë se ringjallja e qytetit Braddock filloi në vitin 2005, kur John Fetterman u zgjodh kryetar i bashkisë.

“Ai është diplomuar në Universitetin Harvard dhe punoi këtu si vullnetar i organizatës AmeriCorps. Në vend që të shkonte diku tjetër për suksesin, ai vendosi të qëndronte në Braddock dhe ta ringjallte këtë qytet”.

“Pasi u diplomova, desha të bëja diçka domethënëse në të mirë të shoqërisë. Ndjehem se kam gjetur misionin dhe pasionin tim duke punuar në këtë qytet”.


Fetterman, me profesion ekonomist, e shikon rigjallërimin e qytetit Braddock si një mission personal.

“Puna ime këtu është një investim i çdo gjëje që kam në këtë komunitet. E vetmja shtëpi që kam zotëruar ndonjëherë është këtu në Braddock. U martova në këtë qytet dhe dy djemtë e mi kanë lindur këtu në Braddock.”

Për gati një dekadë, udhëheqës të qeverisë lokale dhe ata të biznesit kanë punuar së bashku për të përmirësuar cilësinë e jetes në qytet, duke përmirësuar sigurinë me më shumë policë, duke tërhequr biznese me hapësira të reja komerciale dhe strehimi dhe duke hapur qendra të reja për kujdesin shëndetsor.

Mark Stapp, profesor për zhvillimin e pasurisë së patundshme në Universitetin Shtetëror të Arizonës, thotë se qytete të tjerë të vegjël po ndërmarrin hapa të ngjashëm.

“Ky është një evolucion normal. Në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera të botës ka qytete që nuk zhvillohen sepse kanë humbur qëllimin e tyre. Dhe një pjesë e mirë e këtij fakti ka të bëjë me ndryshimin e faktorëve ekonomikë. Me ndryshimin e ekonomisë së një vendi, qytetet e vegjël ndikohen negativisht”.

Për të mbijetur dhe për të pasur sukses, thotë ai, këto qytete duhet të rinvestojnë. Ai e vë theksin tek komunitetet me ferma, që në të kalurën rrethoheshin nga fushat.

“Ne po shikojmë një ndryshim në zona rurale, qytete të vegjël, që përqëndroheshin vetëm në bujqësi, po shndërohen në lagje periferike të zonave metropolitane. Këto qytete të vegjël po urbanizohen”.

Por kjo nuk do të thotë që qytetet e vogla të bëhen pjesë e zonave metropolitane, shton zoti Stapp, përkundrazi, thotë ai, duke shtuar vlerat e tij, qyteti mund të ruajë identitetin.
Është pikërisht ky transformim që po ndodh në Braddock që i jep fotografit George Smyth shpresë për të ardhmen.

“Nuk bëhet fjalë thjesht për qytetin Braddock. Ky qytet personifikon aspiratat e një zone, që është goditur rëndë dhe banorët e saj vendosën të ngrihen dhe të luftojnë për ruajtjen e qytetit të tyre. Kjo është pikërisht ajo që ne si amerikanë kemi bërë gjithnjë”.

Smyth ka në plan të kthehet në Braddock me kamerën e tij dy herë në vit gjatë dekadës së ardhshme për të dokumentuar përparimin e ringjalljes së këtij qyteti.
XS
SM
MD
LG